Barazim 3-3 në ndeshjen Vllaznia B- Besa, të luajtur pasditen e së shtunës në “Reshit Rusi”.
Një rezultat që padyshim do të ndikojë për keq në ecurinë e mëtejshme të kuqebluve në kampionat duke e vështirësuar tashmë shumë arritjen e objektivit për të qëndruar në kategori.
Vllaznia B e nisi këtë ndeshje më e plotë se kurrë pasi pjesë e saj ishin edhe futbollistët e ekipit të parë si Gocaj, Mersini e Gurishta.
Megjithatë, shkodranët janë gjetur të papërgatitur sepse në minutën e 4-të, Mihani me anë të një goditje dënimi, ka shtangur portierin Vjerdha duke kaluar kësisoj Besën në avantazh.
Një gol që ka vënë në lëvizje kuqeblutë dhe pas disa përpjekjesh, në minutën e 30-të, ata do të fitonin të drejtën e një 11-metërshi.
Ruqi është penguar në mënyrë të parregullt brenda zonës dhe arbitri Kridens Meta ka treguar pikën e bardhë.
Atë ka marrë përsipër ta ekzekutojë Olsi Gocaj që është I saktë duke barazuar kësisoj shifrat.
Nëntë minuta më vonë do ishte sulmuesi Pusi ai që I shmanget mbrojësve kavajas dhe me një gjuajtje brenda zone, shënon golin e dytë për Vllazninë B dhe kalimin e saj në avantazh.
Pjesa e parë në këtë mënyrë do të mbyllej me shifrat 2-1 për vendasit.
Në fillimin e së dytës do të ishte përsëri Pusi që do të shënonte dhe golin e tretë për ekipin shkodran.
U duk se ndeshja këtu do të përfundonte por nuk mendonin kështu kavajasit.
Në minutën e 70-të Onuh do të ngushtonte shifrat dhe katër minuta më vonë do të ishte Bakalli që do të shënonte golin e tretë për Besën duke barazuar gjithçka.
Në minutat e fundit, pavarësisht përpjekeve të ekipit shkodran, nuk do të kishte gol tjetër.
Përfundimisht 3-3, një rezultat që padyshim nuk ka kënaqur aspak ekipin shkodran.
www.shkodrasport.com