Klaus Gjasula mund të kishte ndjekur nga televizori ndeshjet e përfaqësueses shqiptare kundër Bjellorusisë dhe Lituanisë. Klubi i Hamburgut mund të vendoste veton për udhëtimin e tij drejt Shqipërisë e Bjellorusisë në këto ditë, për shkak të rrezikshmërisë së lartë të infektimit me COVID-19 dhe rregullave të udhëtimit që parashikojnë edhe karantinën.
Por “Bild” tregon se lojtari ka qenë aq bindës me shpjegimin e tij para drejtuesve se dëshironte të luante me çdo kusht me Kombëtaren, sa këta të fundit i dhanë leje të nisej drejt vendit tonë. Mërgim Mavraj ka shpjeguar për tabloidin gjerman se pse mesfushori dëshironte të ishte me çdo kusht në ndeshjet e para të Ligës së Kombeve pavarësisht situatës.
“Unë e kuptoj plotësisht pse Klausi dëshiron që të luajë për ekipin toën kombëtar. Historia jonë është ndikuar nga luftërat dhe komunizmi. Nuk kemi qenë asnjëherë në gjendje në të vërtetë që të jetojmë patriotizmin tonë.
Tani, ekipi kombëtar ka kaluar në një fokus pozitiv falë disa sukseseve. Është një ndjesi e shkëlqyer dhe ne jemi jashtëzakonisht krenarë që luajmë për vendin tonë”, theksoi ish-mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare.
Tani Gjasula duhet të plotësojë disa kushte kur të kthehet në Gjermani për të qenë i lirë që të shkojë përsëri në klub për të vazhduar përgatitjet për seoznin e ri.
Ai do të duhet që të paraqesë një test negativ ndaj COVID-19 jo më të vjetër se 48 orë nga momenti kur ka shkelur në territorin gjerman, ose të testohet menjëherë në aeroport e të presë i izoluar në shtëpi rezultatet e testimeve. /vipsport/