Java që nis sot do të jetë shumë e vështirë për ekipin e Vllaznisë në basketboll për meshkuj. Brenda tre ditësh, ai do të zhvillojë dy takime shumë të rëndësishme, fillimisht të martën në Krajovë të Rumanisë, ndeshjen e rradhës të Ligës Ballkanike dhe më pas, të premten ndaj Kamza Basket finalen e Superkupës. Kuptohet që nuk do të jetë e lehtë për t’i përballuar, për më tepër edhe me mungesat që shkodranët kanë aktualisht.


Atyre u shtohet edhe problemi tjetër, ai i mosstërvitjes në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe prandaj gjërat janë komplikuar jo pak. Trajneri Bledar Gjeçaj duket jo pak i shqetësuar nga kjo situatë dhe natyrshëm një ankesë e ka edhe ndaj Federatës Shqiptare të Basketbollit ngaqë ajo nuk e shtyu ndeshjen finale të Superkupës. “Ne kemi kontaktuar me Federatën dhe i kemi kërkuar që ta shtyjmë për një datë tjetër finalen e Superkupës. Kjo ngaqë të martën do luajmë në Krajovë ndeshjen e Ligës Ballkanike dhe të mërkurën do kthehemi në Shkodër pas 20 orësh udhëtim. Zhvillimi më pas i kësaj finaleje, është disi rraskapitës por kërkesa jonë nuk është marrë parasysh. Presidenti dhe kryesia kanë vendosur që të dyja finalet të luhen në të njëjtën datë, më 23 janar dhe jemi të detyruar ta zbatojmë këtë vendim”- ka thënë ai për gazetën. Vëmendja gjithsesi tashmë duhet të jetë e përqendruar tek sfida e nesërme me ekipin e Krajovës. Kuptohet që Vllaznia nuk ka asnjë pretendim në këtë takim. Ajo do të udhëtojë drejt Rumanisë vetëm për të mos u gjobitur dhe për të pësuar sa më pak pikë. “Kemi sërish shumë mungesa. Nuk janë tre të huajt dhe po ashtu edhe Llazani nuk rikuperohet deri në fund të muajit. Rumunët na kanë mundur me shumë pikë në Shkodër duke patur edhe këto katër sportistë në formacion, llogarite vështirësinë për ndeshjen e rradhës. Ne do shkojmë vetëm që të mos gjobitemi nga drejtuesit e Ligës. Vllaznia do udhëtojë me autobuz drejt Krajovës, 20 orë rrugë vajtje dhe 20 orë ardhje. Ekipi i Krajovës ka ardhur në Shqipëri me avion, llogarite sa larg jemi me to dhe natyrshëm që nuk kemi se çfarë të pretendojmë ndaj tyre”- ka shtuar më tej Gjeçaj. Pas Krajovës, shkodranët kanë javën e ardhshme edhe një ndeshje të fundit në Maqedoni dhe do e mbyllin këtu këtë edicion të Ligës Ballkanike. Por para ndeshjes në Maqedoni, të premten kuqebltë do diskuojnë finalen e Superkupës me Kamza Basket. I pyetur nëse Vllaznia është favorite për ta fituar këtë trofe, trajneri Gjeçaj do shprehej: “Pretedentë? Nuk e di me saktësi të them nëse jemi apo jo. Ajo që di të them unë është se Vllaznia do të hyjë në fushë me pretendimin për ta fituar edhe këtë trofe, pavarësisht se ekipi do jetë i lodhur nga kthimi prej Rumanisë, do ketë katër mungesa por sëish do tentojmë. Kuptohet që vëmendja jonë maksimale është e përqendruar tek kampionati ku shrpesojmë që pallati i sportit të bëhet sa më shpejt funksional dhe t’i rikthehemi punës në të. Të premten gjithsesi do tentojmë edhe marrjen e Superkupës”.
© shkodrasport.com