
Basketbollistët e Vllaznisë kanë filluar të hyjnë tashmë në përgatitjet e fundit për ndeshjen e rradhës, atë gjysmëfinale të kampionati që do të luajë të premten në orën 19.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ndaj Klubit Tirana. Stërvitja e çdo dite është shumë intensive, zgjat plot dy orë përveç asaj që zhvillohet paradite. Ajo ndiqet rregullisht edhe nga presidenti i shoqatës së basketbollit Sokol Dibra, inspektori i lojëtarev me dorë pranë klubit Vllaznia Astrit Zaganjori etj. Interesimi është i madh për këto ndeshje, aq sa duhet thënë se prej dy ditësh ka nisur edhe interesimi i sportdashësve për biletat e ndeshjes të së premtes. Drejtuesit e klubit kanë vendosur një çmim simbolik prej 1 mijë lekë të vjetrash megjithatë kjo nuk duket të jetë problem pasi shumë prej biletave janë prenotuar tashmë për ndeshjen e së premtes. Duke folur në lidhje me këtë ndeshje, trajneri Bledar Gjeçaj është shprehur kështu pasditen e sotme: “Ne kemi kohë që përgatitemi për këto ndeshje. Jemi fokusuar tek takimi i parë gjysmëfinale me Klubin Tirana. Kuptohet që nuk do përsëritet ai rezultat që bëmë në kampionat kur fituam thellësisht ndaj kësaj skuadre sepse është një rival i denjë megjithatë do të mundohemi ta mbyllim sa më shpejt ndeshjen. Gjendja e skuadrës është e mirë, kemi 2-3 probleme të vogla me disa sportistë por deri të premten mendoj se do kalojnë. Jam shumë i bindur se edhe me mbështetjen e zjarrtë të tifozëve tanë, do të arrijmë të kalojmë me sukses edhe këtë ndeshje për të filluar pastaj të mendojmë për sfidat e finaleve megjithatë t’i marrim ndeshjet një e nga një njëherë”.
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com)