Askush në Shkodër nuk e kishte menduar një dështim të tillë, madje as vetë protagonistët e këtij dështimi, trajneri Gjeçaj dhe basketbollistët e tij. Mes shumë përpjekjesh por edhe shpenzimesh, është marrë përsipër zhvillimi i ndeshjeve të turit final të Kupës së Shqipërisë në qytetin e tyre, natyrisht duke menduar që këto dy ditë të ktheheshin në një festë të vërtetë. Por nuk ka ndodhur kështu. Festa u zhvillua vetëm një ditë, gjatë ndeshjes gjysmëfinale ndaj Tiranës, ndërsa të nesërmen kur Vllaznia duhej të ishte në parket ndaj Kamzës, pjestarët e ekipit shkodran ishin në shkallët e “Qazim Dervishit” si spektatorë. Duke folur në lidhje me këtë gjë, trajneri Bledar Gjeçaj” për gazeten do të shprehej: “Ndodhi ajo që ia kisha frikën: vetëkënaqësia tek basketbollistët e mi. Ata ndoshta e kishin marrë të lehtë këtë aktivitet, duke menduar se nuk kanë rivalë dhe kështu ndodhi edhe në sfidën ndaj Tiranës. Kaluan në avantazh dhe në fund të periodës së tretë, në mendje ata ishin të bindur se ndeshja mbaroi por nuk ndodhi kështu. 10 minutat e fundit, kanë qenë për t’u harruar por skuadra jonë nuk ekzistonte fare në fushë. Më vjen keq vetëm për Gjonajn, që luajti fort dhe ishte i vetmi që e justifikoi aktivizimin, ndërsa të tjerët shfaqën shumë dobësi. Gjithsesi më mirë që na ndodhi tani sepse në kampionat besoj se do të jemi krejt ndryshe”. Kuqeblutë zhgënjyen tifozët e shumtë të tyre megjithatë elementi i vetëkënaqësisë u vërejt edhe tek ekipi i Tiranës. Duke mundur Vllazninë, lojtarët e tij menduan se tashmë kupa u mor por në fakt gabuan dhe e pësuan. Gjithsesi, ajo që mbetet është kryesisht dështimi i Vllaznisë që ende nuk mund të shpjegohet nga askush pse ndodhi.