Edhe për sportin e basketbollit ka nisur merkatoja por jo për ekipin e basketbollit të meshkujve të Vllaznisë. Trajneri i këtij ekipi Bledar Gjeçaj ka bërë të ditur se nuk ka asnjë mundësi financiare për të mundësuar marrjen e ndonjë lojtari tjetër për ta forcuar atë. “E kemi të pamundur. Nuk kemi asnjë mundësi financiare. Ekipet e klubit shumësportësh Vllaznia për fat të mirë kanë lojtarë të rinj me të cilët mbahen se po të ishin shpresat tek blerjet, do ishte një dështim i madh. Pra, ka ende shumë ditë në dispozicion për të bërë ndonjë afrim të mundshëm megjithatë Vllaznia e ka mbyllur prej kohësh këtë gjë.  Nuk do ketë asnjë lëvizje në ekipin tonë. Për fat të mirë nuk do ketë largime sepse për afrime as që bëhet fjalë”-ka thënë trajneri i skuadrës shkodrane ekskluzivisht për gazetën online www.shkodrasport.com. Financat në ekipet e klubit Vllaznia kanë qenë gjithnjë problem megjithatë sërish ekipet e këtij klubi, ia kanë dalë të përfaqësohen denjësisht. Për këtë Gjeçaj jep vetëm një shembull: “Sa paguhen dy sportistët shkodranë që kanë shkuar në fillim të këtij sezoni tek Teuta, paguhet komplet ekipi i Vllaznisë dhe sërish ne jemi më lart në renditje se durrsakët. Kjo ka të bëjë me kulturën, me dëshirën për sukses që është e gatuar tek sportistët shkodranë dhe prandaj ia kemi dalë”. Vllaznia e ka mbyllur gjysmën e parë të kampionatit në vendin e tretë dhe objektivi është për të qenë në katërshe deri në fund të kampionatit. Bledar Gjeçaj mendon se kjo është plotësisht e arritshme ngaqë edhe kalendari i fazës së dytë është i favorshëm ngaqë ndaj ekipeve rivale do luhet në Shkodër.

www.shkodrasport.com