Elseid Hysaj nuk ka qenë në gjendje që të ndihmojë Lazion ashtu siç do të dëshironte mbrojtësi shqiptar në këto ndeshje të fundit.
Futbollisti i Kombëtares shqiptare ka pësuar një dëmtim në javët e kaluara dhe duket se në ndeshjen e mbrëmshme të Serisë A ndaj Torinos, e ka përkeqësuar atë.
Shkodrani u zëvendësua në fund të pjesës së parë nga trajneri Maurizio Sarri dhe pas sfidës ky i fundit ka treguar se kjo zgjedhje kishte qenë e detyrueshme për shkak të situatës së lojtarit.
“Ka një problem dhe duhet vlerësuar”, u shpreh trajneri para gazetarëve, duke bërë të qartë se situata e mbrojtësit tashmë bëhej pak shqetësuese.
Sipas mediave italiane, ai duhet të bëjë vizita më të hollësishme për këtë dëmtim, i cili po penalizon aktivizimin e rregullt në pjesën e dytë të sezonit.