Biznesmeni i njohur shkodran Gjergj Leqejza është zgjedhur dje president i Federatës Shqiptare të Boksit. Ka ndodhur kështu pas mbledhjes së Asamblesë së jashtëzakonshme të kësaj Federate. Votat e 12 delegatëve i kanë dhënë zyrtarisht Leqejzës mandatin e presidentit të federatës pas dorëheqjes së parevokueshme nga ky funksion të ish-presidentit Shpëtim Çilotajt. Kandidat për të zëvendësuar Çilotajn ishte edhe zëvendëspresidenti i federatës, Ismail Kovaçi, por që fundi i zgjedhjeve nxori si fitues unanim kandidatin e ekipit të Vllaznisë. Deri dje Leqejza ushtronte edhe detyrën e presidentit të boksit shkodran, të drejtuar nga trajneri Zef Gjoni. Punimet e asamblesë vijuan normalisht nga prezantimi i kandidaturave dhe deri te hapja e kutisë së votimit. Për Leqejzën, zgjedhja në krye të një federate nuk është premierë, pasi në të kaluarën ka drejtuar edhe Federatën Shqiptare të Volejbollit. Si sport i rinisë së tij ka qenë pikërisht volejbolli, teksa është aktivizuar në radhët e Vllaznisë, Studentit, por edhe të përfaqësueses shqiptare. Emërimi i këtij biznesmeni në krye të boksit shqiptar, sigurisht që do ta ndihmojë këtë sport për të ecur edhe më përpara sepse ambicjet e Leqejzës janë për të qenë i suksesshëm kudo, ashtu si në biznes edhe në sport.
www.shkodrasport.com