100 mijë bileta me 1 euro për të mbijetuar në momentin e emergjencës coronavirus. Kjo është nisma e Lokomotive Leipzig, klubi i kategorisë së katërt të futbollit gjerman, që ka vendosur të shesë bileta për një ndeshje “të padukshme”.

Impianti i skuadrës mund të mbajë deri në 15 mijë spektatorë dhe në ndeshjen e fundit kundër Energie Cottbus janë shitur 4498 bileta. Megjithatë, këtë herë nisma ambicioze do ta mbushë plot virtualisht stadiumin dhe do të jetë më frytdhënëse.

Në fakt, për të luftuar emergjencën coronavirus dhe dëmet ekonomike të pësuara, klubi ka nxjerrë në shitje 100 mijë bileta për 1 euro për një ndeshje që do të jetë virtuale dhe që do të zhvillohet 8 majin e ardhshëm.

Asnjë tifoz, asnjë skuadër, por gjithçka tjetër do të funksionojë në stadium: do të ndizen dritat e impiantit, do të ketë komentatorë gati dhe diçka do të ndodhë. “Do të jetë një surprizë për të gjithë”, kanë thënë përgjegjësit e nismës për BBC Sports. Nuk mbetet gjë tjetër vetëm që të presim…/telesport/