Një ndryshim epokal, pasi pas më shumë se 70 vitesh kombëtarja gjermane do të lërë markën gjermane Adidas dhe do të kalojë te amerikania Nike. Lajmi u komunikua nga Federata Gjermane e Futbollit. Bashkëpunimi do të nisë nga janari i 2027 dhe do të zgjasë të paktën deri në 2034. Nike do të veshë të gjithë kombëtaret gjermane.

“Partnershipi i ardhshëm do t’i mundësojë Federatës që të vazhdojë të zhvillojë detyrat thelbësore në dhjetëvjeçarin e ardhshëm në këndvështrimin e zhvillimit global të futbollit në Gjermani”, shpjegoi presidenti i Federatës, Bernd Neuendorf. Holger Blask, Presidenti i Këshillit Administrativ të Federatës ndërkohë nënvizoi se “zgjedhja si partner i ardhshëm e Nike është rezultati i një gare transparente dhe jo diskriminuese”.

HISTORIA

Gjermania ka fituar 4 Botërorë dhe 3 Europianë. Në çdo sukses skuadra ka veshur Adidas, (bashkëpunimi mes tyre ka nisur që në 1959), me markën gjermane që ka qenë gjithmonë sponsori teknik i kombëtares. Vendimi për ndryshimin e papritur është eksluzivisht ekonomik. Nike ka prezantuar një ofertë shumë më të lartë në krahasim me markën gjermane që deri në këtë moment i jep Federatës plot 50 milionë euro në vit.

Akordi i ri me Nike është padyshim shumë më i leverdisshëm, me presidentin e Federatës që deklaroi. “Jemi krenarë për bahskëpunimin e ri, dhe besimin që Nike ka te ne. Falënderojmë Adidas dhe deri në 2026 do të bëjmë gjithçka për suksesin recpiprok për të cilin si ne dhe Adidas impenjohemi prej vitesh. I detyrohemi shumë sponsorit tonë teknik historik, që na shoqëron prej më shumë se 7 dekadash”.

POLEMIKAT

Adidas që në ditët e kaluara krijoi polemika me prezantimin e një prej fanellave që do të përdoren në Europianin e ardhshëm, (me ngjyrë rozë e cila nuk ju ka pëlqyer shumë gjermanëve), nuk e ka pritur aspak mirë këtë vendim, me zëdhënësit e markës gjermane të veshjeve sportive që deklaruan se u informuan vetëm në ditën kur lajmi u publikua nga Federata se kishte arritur një akord të ri me Nike pas përfundimit të marrëveshjes në vitin 2026.