Në Botërorin e Rusisë, Gjermania që vjen si kampione e botës në fuqi do të sfidojë një tabù të dyfishtë.

Asnjë kombëtare, nga viti 1962 e deri më sot, nuk ka mundur kurrë të rikonfirmohet kampione e botës. Për më tepër, mbetet për t’u thyer edhe mallkimi i grupit F.

Kush vjen nga ky grup nuk e ka fituar kurrë titullin e kampionit të botës, që kur është krijuar formula me eliminim të drejtpërdrejtë pas fazës së grupeve.

Por le të sjellim në kujtesë këtë detaj, i cili në fund do të ngrejë edhe pyetjen: A do të arrijë Gjermania të bëjë më mirë sivjet, në Rusi?

ITALI 1990 – Grupi F konsiderohej asokohe një grup ferri, por për fat të mirë prej aty u kualifikuan 3 skuadra, duke eliminuar Egjiptin.

Holanda dhe Anglia do të kalonin grupin, por që të dyja do t’i jepnin fund rrugëtimit në Botëror pasi do të dilnin përballë Gjermanisë Perëndimore.

Kampionët në fuqi të Europës do të dorëzoheshin në 1/8-at, ndërsa anglezët do të dorëzoheshin me 11-metërsha në gjysmëfinale, pasi kishin kaluar Belgjikën dhe Kamerunin.

Nga i njëjti grup do të kalonte edhe Irlanda, e cila do të ndalej nga Italia në çerekfinale, me golin e të zakonshmit Totò Schillaci.

SHBA 1994 – Grupi F në këtë edicion të Kupës së Botës do të shenjohej gjithashtu nga Holanda, e cila arriti të kualifikohej në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë, duke pasur të njëjtën kuotë pikësh me Belgjikën dhe Arabinë Saudite, nga 6 secila, duke detyruar Marokun të bënte valixhet gati.

Për “portokallinjtë” do të vinte më pas fitorja ndaj Irlandës në 1/8-at, por ëndrra do të shuhej kundër Brazilit, një humbje 2-3 dhe lamtumirë Botërorit.

Arabët dhe belgët do t’i thoshin lamtumirë që në fazën e 1/8-ave, respektivisht përballë Suedisë dhe Gjermanisë.

FRANCE 1998 – I vetmi precedent që prek drejtpërdrejt Gjermaninë është ky në tokën franceze. Kombëtarja gjermane asokohe ishte tepër e vjetër në moshë dhe e lodhur, në fundin e një cikli që solli qoftë Kupën e Botës të vitit 1990, ashtu dhe Europianin e 1996-s.

Gjermanët do të kualifikoheshin nga grupi së bashku me Jugosllavinë, duke eliminuar Shtetet e Bashkuara dhe Iranin.

Në 1/8-at, gjermanët do të kalonin Meksikën, por aventura do të mbyllej në çerekfinale përballë një Kroacie që i shpartalloi me një rezultat 3-0. Jugosllavët, ndërkohë, do të eliminoheshin në raundin pasardhës nga Holanda.

JAPONI-KORE E JUGUT 2002 – Grupi F i 2002-shit do të zhvillonte ndeshjet duke “prerë kokën” e një viktime tejet të bujshme pikërisht në këtë fazë.

Viktima surprizuese do të ishte Argjentina, e cila detyrohej të linte kompeticionin pasi humbën ndaj Anglisë dhe barazuan me Suedinë.

Një eliminim i papritur! Në ndeshjet me eliminim të drejtpërdrejtë, Suedia do të dorëzohej përballë një Senegali surprizues në 1/8-at.

Ndërsa anglezët, që konsideroheshin pretendentë, do triumfonin 3-0 ndaj Danimarkës, për t’u eliminuar në çerekfinale nga Brazili.

Portieri Seaman i “3 luanëve” do të pësonte një gol thuajse nga gjysmëfusha nga Ronaldinho; 1-2 rezultati dhe ëndrra e Botërorit do të shuhej.

GJERMANI 2006 – Kush lëndon në grupin F, më tej e pëson. Brazili do të shpaguante në këtë mënyrë në vitin 2006.

“Seleçao” do të kalonte me lehtësi grupin, ku bënin pjesë Australia, Japonia dhe Kroacia. Gana më pas u mposht pastër 3-0 në 1/8-at, por në çerekfinale doli një pengesë e pakapërcyeshme, si Franca.

Henry do të dërgonte në shtëpi kampionët e botës në fuqi. E dyta e atij grupi, Australia do t’i rezistonte heroikisht Italisë (në fund të kompeticionit kampione e botës), por do të dorëzohej në kohët shtesë kur shënonte me 11-metërsh Francesco Totti.

AFRIKË E JUGUT 2010 – Në Afrikë do të vinte radha e Spanjës të ngrinte trofeun, por mallkimi i grupit F do të prekte në këtë edicion ata që vinin si kampionë në fuqi.

Në grupin e të pafatëve do të ishte Italia, që do të zhvillonte Botërorin më të tmerrshëm në historinë e “axurrëve”, duke e mbyllur grupin me Sllovakinë, Paraguajin dhe Zelandën e Re në vendin e fundit, pa asnjë fitore.

Ata që do të kalonin ishin Paraguaji dhe Sllovakia, të cilat u ndalën në çerekfinale dhe 1/8-at respektivisht nga Spanja dhe Holanda.

BRAZIL 2014 – Edhe para 4 vitesh, grupi F faktoi “kryeveprën” e mallkimit. Në fakt u duk se do të thyhej kjo tabù fatkeqe, por jo.

Në atë grup do të ishte Argjentina, e cila ia doli të shkonte deri në finalen e “Maracanà”-së në Rio de Janeiro, por aty do të dorëzohej përballë Gjermanisë.

Kombëtarja “albiçeleste” do të kalonte grupin me Bosnjen, Iranin dhe Nigerinë, me afrikanët që do të kalonin grupin por do të frenoheshin nga Franca.

Argjentinasit do të eliminonin me radhë Zvicrën, Belgjikën dhe Holandën me penallti, përpara se të dorëzoheshin para golit të Gotzes në kohët shtesë, kur dihet që Higuain pati rastin e artë për gol në kohën e rregullt.