Miqësorja mes Austrisë dhe Gjermanisë këtë fundjavë i buzëqeshi vendasve, që në mënyrë surprizë fituan ndaj seleksionit kampion në fuqi të botës dhe një prej favoriteve kryesore për turneun e këtij muaji në Rusi.
Por ishte pikërisht kjo disfatë që shërbeu për tifozët dhe mediat të nënvizojnë fjalën krizë për ekipin e Joakim Low që nuk fiton prej muajit Tetor.
Miqësorja nisi me dy orë vonesë për shkak të reshjeve, por problemet më të mëdha Gjermania po i sheh para nisjes së botërorit.
Për herë të parë pas 30 vjetësh, seleksioni i ‘panxerave’ nuk arrin të fitojë pas 5 ndeshjesh radhazi. Suksesi i fundit i skuadrës së Joakim Low i përket ndeshjes së Tetorit ndaj një rivali modest si Azerbajxhani.
Që prej 2017, Gjermania ka marrë barazime me Anglinë, Francën dhe Spanjën ndërsa humbi me Brazilin dhe Austrinë.
Skuadra kampione e botës nuk ka bërë figurë negative por ka dështuar për të vendosur diktatin dhe shumë tifozë mendojnë se në tokën ruse, gjermanët nuk do të dominojnë dot si në Brazil para 4 vjetësh.
Ndaj Austrisë në fushë ishin thuajse të gjithë titullarët por pavarësisht kësaj nuk evitoi dot disfatën. Tani prova e parë e vërtetë dhe ajo që vlen, është në 17 Qershor ndaj Meksikës.