Te gjithë me sy e veshë nga Gjermania, që luan ndeshjen vendimtare për kualifikimin në Grupin F.

“Pancerat”, pas disfatës së papritur me Meksikën në takimin e parë, do të përballen sonte në orën 20:00, në stadiumin “Fisht Olympic” të Sochit, me Suedinë, që futet në fushë në këtë sfidë me qëllimin për të mos humbur.

Joachim Low nuk do të ketë në dispozicion në mbrojtje Mats Hummels, i cili ka probleme në qafë, ndërsa priten ndryshime taktike në formacionin, me Marco Reus që pritet të luajë që nga minuta e parë.

Në të gjitha sfidat e këtij Botërori, Gjermani – Suedi është përballja me më shumë histori.

Të dyja skuadrat janë ndeshur plot 36 ndeshje me njëra-tjetrën, me gjermanët që kanë triumfuar 15 herë, suedezët 12 herë dhe 9 takime të tjera janë mbyllur në barazim.

Në përballjet e Kupës së Botës “Die Mannschaft” ka korrur sukses në 3 raste dhe vetëm në një takim kanë triumfuar kundërshtarët nordikë.

Formacionet e mundshme:

Gjermani: Manuel Neuer; Joshua Kimmich, Jerome Boateng, Nicklas Sule, Jonas Hector; Ilkay Gundogan, Toni Kroos; Thomas Muller, Mesut Ozil, Marco Reus; Mario Gomez.

Suedia: Robin Olsen; Mikael Lustig, Viktor Lindelof, Andreas Granqvist, Ludwig Augustinsson; Viktor Claesson, Sebastian Larsson, Albin Ekdal, Emil Forsberg; Marcus Berg, Ola Toivonen.

Po në grupin F, Koreja e Jugut përballet me Meksikën në orën 17 në “Rostov Arena”, sfidë që do të mund të përcaktojë përfundimisht fatin e të dyja skuadrave.

Nëse Meksika arrin të triumfojë, do të hidhte një hap shumë të rëndësishëm drejt kualifikimit në fazën e 1/16-ave (nëse Gjermania nuk fiton me Suedinë kualifikohet automatikisht), ndërsa barazimi e mban matematikisht në lojë përfaqësuesen aziatike, që në sfidën e fundit në grup do të përballet me Gjermaninë.

Historia në fakt nuk e favorizon aspak Korenë e Jugut, që në 9 përballje me latino-amerikanët në finalet e Kupës së Botës nuk ka mundur të marrë qoftë një fitore brenda 90 minutave, duke humbur 6 e barazuar 3 takime.

Formacionet e mundshme:

Koreja e Jugut: Jo Hyeonwoo; Lee Yong, Kim Younggwon, Jang Hyunsoo, Kim Minwoo; Ki Sungyueng, Jung Wooyoung, Lee Jaesung; Hëang Heechan, Son Heungmin, Lee Seungwoo.

Meksikë: Guillermo Ochoa; Carlos Salcedo, Hugo Ayala, Hector Moreno, Jesus Gallardo; Miguel Layun, Hector Herrera, Andres Guardado; Carlos Vela, Javier Hernandez, Hirving Lozano.

Takimi i parë i ditës së 10-të të “Rusi 2018” është ai i orës 14:00, në “Otkrytiye Arena” të Moskës, mes Belgjikës dhe Tunizisë. Pas suksesit të arritur 3-0 ndaj Panamasë, “Djajtë e Kuq” synojnë të sigurojnë sa më parë kualifikimin, që në sfidën e fundit me Anglinë të luajnë pa presion, për t’u renditur të parët në grup.

Nga ana tjetër, afrikano-veriorët shpresojnë të bëjnë surprizën, për të qëndruar ende në lojë për kualifikimin, duke shpresuar që Anglia të mos arrijë të fitojë me Panamasë në sfidën tjetër të Grupit G, që do të luhet nesër.

Kjo do të jetë përplasja e dytë në histori mes dy ekipeve në Botëror, teksa në Kore e Jugut dhe Japoni në vitin 2002, barazuan 1-1

Formacionet e mundshme:

Belgjika: Thibaut Courtois; Jan Vertonghen, Dedryck Boyata, Toby Alderweireld; Axel Witsel, Kevin De Bruyne, Yannick Carrasco, Thomas Meunier; Dries Mertens, Eden Hazard; Romelu Lukaku.

Tunizia: Farouk Ben Mustapha; Yassine Meriah, Syam Ben Yousef, Dylan Bronn, Oussama Haddadi; Ellyes Skhiri, Anice Badri, Ferjani Sassi; Fakhreddine Ben Youssef, Wahbi Khazri, Naim Sliti.