Gjermania U21 vazhdon të përsëritë veten me një ritëm mbresëlënës, pavarësisht se kjo kombëtare është e detyruar të ndryshojë brez lojtarësh çdo dy vite.
Ekipi i drejtuar nga ish-futbollisti i njohur gjerman, Stefan Kuntz, ka mundur 2-1 Holandën dhe ka arritur të shkojë në finalen e Kampionatit Europian të 21-vjeçarëve për të tretin edicion radhazi.
Përsa i përket sulmuesit me origjinë shqiptare, Mërgim Berisha, ai u aktivizua nga fillimi dhe luajti 84 minuta për Gjermaninë, duke bërë një paraqitje tepër pozitive.
“Panzerat” kanë barazuar rekordin që mbahej nga Italia me praninë radhazi në vitet 1992, 1994 dhe 1996. Gjermania nisi këtë seri finalesh me një fitore në vitin 2017 ndaj Spanjës, duke u shpallur Kampione Europe, ndërsa u mund nga spanjollët dy vite më vonë.
Tani, në finale përballë saj nuk do të jetë më Spanja, pasi ajo u mund nga Portugalia më rezultatin 1-0 dhe gjermanët do të mundohen të kthehen në fron në duelin e të dielës përballë luzitanëve. Mërgim Berisha do të diskutojë trofeun e madh ndaj moshtarëve të Portugalisë më 6 qershor në Ljubjanë të Sllovenisë.