Klubi i Luton, i cili luan këtë edicion në Championship pasi ra nga Premier Liga, ka marrë një vendim të papritur që ecën plotësisht kundër rrymës aktualisht në Angli.

Ndryshe nga klubet e tjera që janë munduar të krijojnë edhe fanella të veçanta për çështje marketingu e fitimesh, Lutoni ka vendosur që të mbajë fanellën e edicionit të kaluar.

Sipas klubit, fanella e vitit të kaluar është padyshim ajo më popullorja, pasi skuadra ishte në Premier Ligë dhe ishte shkruar historia me të. Në këtë mënyrë, tifozët mund të ruanin fanellën e vjetër edhe këtë edicion, ku qëllimi do të jetë që të kthehet skuadra përsëri në elitë.

“Fanella jonë e parë ikonike në shtëpi do të ketë një jetë më të gjatë pasi kemi vendosur të konfirmojmë që do të vazhdojmë ta veshim edhe në vitin tjetër. Do të ndryshojmë fanellën e parë çdo dy vite, duke i dhënë mundësinë tifozëve që të ruajnë më gjatë fanellat dhe të kemi furnizim të vazhdueshëm. Fanella e ndeshjeve në shtëpi e sezonit të kaluar ka qenë më popullorja dhe më e kërkuara në historinë e klubit”, shkruhej në njoftimin e Lutonit.