Zhoze Murinjo nuk është kurrë banal, ndoshta ndonjëherë është edhe më i drejtpërdrejtë seç duhet dhe me deklaratën e bërë dje ai konfirmon se gjërat te Mançester Junajtid për të nuk janë aspak të qeta. Madje, ai përpara gazetarëve nuk ngurron që të pranojë se ka disa talente të mëdhenj në skuadër, por që deri tani nuk kanë treguar burrëri, vetëm sepse janë djem të llastuar. Madje, dhe të katërt lojtarët që janë vënë në shënjestër kanë edhe emër dhe mbiemër:

Futbolli ka cikle, një skuadër pret dhe varet edhe nga brezat e lojtarëve, por sivjet fatkeqësisht ka disa futbollistë, të cilëve iu mungon pjekuria dhe ky është mendimi im personal. Në fillim kishim ndoshta më shumë burra dhe njerëz të përgatitur për jetën, por tani kemi disa fëmijë të llastuar dhe po e them hapur.

Ljuk Shou ka një potencial të madh, por nuk di ta tregojë dhe ta respektojë dhuntinë e tij edhe me sjelljet. E njëjta gjë vlen për Entoni Marsial, Jesi Lingard dhe Markus Rashford.

Këta emra janë ndër talentet më të mëdhenj në botë dhe Junajtid duhet të mburret me ta, por ndërkohë, një fjalë që unë u them, gjithmonë për mirë, i bën ata të ndihen të dobët. Kjo tregon se iu mungon karakteri dhe personaliteti”, tha Murinjo, përpara sfidës me Kristal Palas.

VIZITË E ASTRONAUTIT – Dhe siç raporton “The Sun”, për të korrigjuar këtë problem që ka me futbollistët e tij, Zhoze Murinjo, vazhdon të ofrojë gjetje speciale, siç ka qenë ajo e kërkesës për ndihmë që ka bërë te një prej astronautëve të NASA-s, Stiv Suanson.

Ky i fundit është ftuar nga trajneri i Mançester Junajtid, në mënyrë që të fliste përpara futbollistëve të tij dhe t’u shpjegonte atyre rëndësinë që ka të punuarit në grup, sidomos kur atë e thotë një person që ka jetuar në atmosferë, me një tjetër grup kolegësh, që i ka njohur miliona kilometra larg tokës, por me objektivin e vetëm për të bashkëjetuar në harmoni dhe të punojnë në grup për të arritur te synimi i tyre.

Madje, Suonson kishte marrë me vete edhe një flamur të Mançester Junajtid në udhëtimin e tij të fundit, i cili qëndroi në hapësirë për 6 muaj, u rrotullua rreth tokës 2704 herë, duke marrë edhe një certifikatë të NASAs, ku konfirmohet se ka përshkuar më shumë se 114 milionë kilometra me një shpejtësi prej 28 mijë kilometrash në orë.