Armando Cungu vazhdon të jetë trajneri i skuadrës së Kukësit, të paktën për momentin. Ky është mesazhi i qartë që jep presidenti i skuadrës verilindore, Safet Gjici, në një prononcim të dhënë sot për Vip Sport.
Ndërsa të gjithë presin largimin e teknikut shkodran nga drejtimi i skuadrës, Gjici ka shpjeguar se vendimi për shkarkimin e tij nuk është ende përfundimtar.
“Cungu nuk ka drejtuar sot stërvitjen por kjo nuk do të thotë që është shkarkuar. Një trajner mund të pezullohet për një stërvitje, një ndeshje, apo edhe më shumë.
Mund të vijë pastaj momenti dhe unë të them që trajneri të kthehet përsëri të drejtojë ekipin”, shpjegoi Gjici, duke lënë të hapur gjithçka rreth të ardhmes së teknikut që ka drejtuar në këtë sezon skuadrën e tij.
Sido që të shkojnë gjërat, shpjegimin më të qartë për të gjithë publikun do ta japë vetë presidenti, i cili ka vendosur që nesër të bëjë publik vendimin që ka marrë rreth të ardhmes së skuadrës.
“Nesër në orën 10 do të jem unë në një konferencë për shtyp që do të shuaj çdo kureshtje dhe aty do të mësoni gjithçka rreth Cungut dhe situatës së ekipit. Aty do të merrni vesh të gjithë për atë që ka ndodhur, pasi gjithçka që është thënë deri tani është spekulim mediatik”, sqaroi numri 1 i verilindorëve në prononcimin e tij. /vipsport/