Presidenti i nderit i Kukësit, Safet Gjici, mendon se skuadra e tij meritonte ta fitonte ndeshjen, duke parë atë që treguan në fushë. Në prononcim ekskluziv për “Panorama Sport” pas ndeshjes, Gjici kërkon të mos bëjë polemika pa u qartësuar plotësisht, por ka rezerva për golin e parë të anuluar për pozicion jashtë loje. Nëse në fund del që ishte i rregullt, ai e konsideron si të paimagjinueshme që nuk është quajtur, por gjithsesi nuk mendon se ka një tendencë kundër Kukësit.

“Me barazimin nuk jam i kënaqur, sepse merituam të fitonim ndeshjen me lojën që zhvilluam. Nuk e di, por ai goli i parë që u dha pozicion jashtë loje… Ne duam të mos na hahet haku, nuk ka rëndësi se në çfarë pozicioni jemi.

Realisht bëmë një lojë të mirë, sepse në pjesën e parë kishim mundësi ta fitonim ndeshjen dhe me lojën që bëmë, e meritonim, sepse Teuta nuk na erdhi asnjëherë në portë dhe kishte ardhur për barazim”, u shpreh fillimisht Gjici.

ANULIMI I GOLIT – Gjici nuk kërkon ta imagjinojë që goli i parë i anuluar të rezultojë i drejtë, sepse më pas do t’i duhet të shohin se çfarë masash do të marrin si klub. “Megjithatë, duhet të shohim VAR-in kur ta japë me vizë. Tani nuk di se çfarë të them, por nëse edhe ky gol është anuluar kot dhe është i rregullt, atëherë është e paimagjinueshme. Tendencë? Jo, jo, nuk e them këtë. Nuk mendoj se ka dorë kundër Kukësit, por nëse goli i anuluar del i rregullt, do shohim më pas se çfarë vendimesh do të marrim”, vijoi më tej Gjici.

RASTI I BASHËS – Në lidhje me rastin e humbur të Bashës, Gjici pohon se duhet edhe fati në futboll. “Duhet të fitonim me lojën që bëmë, pasi e kishim në dorë, edhe me Bashën që humbi atë rast. Basha është ndër lojtarët tanë kryesorë, ka edhe raste që humben edhe pse ishte mundësia për ta bërë. Ndonjëherë fati në futboll ka pjesën e vet”, u shpreh kreu i klubit verilindor në prononcimin e tij për gazetën.