Kukësi është 90’ minuta larg kualifikimit në turin e tretë të Champions League. Një arritje e tillë do të ishte historike për verilindorët që marrin pjesë për herë të dytë në këtë kompeticion prestigjoz.

Përballë është një kundërshtar tepër i vështirë për t’u kaluar, megjithatë brazimi i regjistruar në ndeshjen e parë në “Loro Boriçi”, ka bërë që verilindorët të jenë optimistë.

Për t’i motivuar edhe më shumë futbollistët dhe stafin teknik presidenti Safet Gjici, është gati të japë 100 mijë euro premio për kualifikimin.

Burime pranë presidentit bëjnë me dije ekskluzivisht për “Eduasportin.com”, se numri një i klubit e dëshiron me çdo kusht kualifikimin dhe u ka premtuar futbollistëve një premio të majme. Në fakt kjo nuk është hera e parë që presidenti Gjici, u jep premio lojtarëve dhe stafit teknik për t’i motivuar.

Në vendin tonë diçka e tillë praktikohet shpesh dhe zakonisht ka rezultat efikas. Gjithsesi në këtë rast do të jetë tepër e vështirë, pasi përballë kanë një ekip tepër të fortë që vjet ka qenë pjesë e Champions League ku është përballur me ekipe si Chelsea, Atletico Madrid dhe Roma.

Forca e kundërshtarit dihet, megjithatë fakti që në “Loro Boriçi”, ndeshja u mbyll në barazim pa gola ka entuziazmuar edhe më shumë nënkampionët e Shqipërisë, që shpresojnë të hedhin hapin e madh.

Gjithsesi edhe në rast se nuk kualifikohen në turin e tretë të Champions League, verilindorët do të luajnë në Europa League në raundin e tretë ku i pret një ekip i lehtë, të paktën në letër.

Në vjigjilje të takimit trajneri Armando Cungu u shpreh optimist, ndërsa zbuloi se e ka përgatitur skuadrën edhe për penallti. Kalimi në raudin tjetër të Champions League nënkupton shumë të ardhura për Kukësin, por nga ana tjetër klubit i rritet koefiçinti dhe për më tepër edhe vlera e futbollistëve. /EDS/