Plas te Kukësi para ndeshjes kundër Teutës! Prej ditësh situata ziente në ekip për shkak të mungesës së rrogave, por vetëm dje lojtarët janë rebeluar.
Si zakonisht, skuadra është grumbulluar në ambientet e kompleksit stërvitor “Football Republic”, teksa të gjithë lojtarët në unanimitet, i kanë komunikuar zv.trajnerit Rrahman Hallaçi vendimin për të mos u stërvitur për shkak të mospagesave nga ana e klubit.
“Panorama Sport” mëson se futbollistët kanë hyrë në muajin e tretë që nuk shlyhen dhe për këtë shkak kanë vendosur që të bojkotojnë stërvitjen.
Situata nuk është e nderë në klubin verilindor, pasi sikur të mos mjaftonin rezultatet negative në kampionat, tashmë del në pah edhe problemi i rrogave. Pakënaqësitë e lojtarëve kanë ardhur në rritje gjatë javëve të fundit, madje njëri prej tyre, mbrojtësi Sadik Vitija, nuk ka duruar shumë dhe është larguar nga skuadra.
DREJTUESIT – Gazeta ka kontaktuar dje presidentin Safet Gjici, duke e pyetur në lidhje me këtë ngjarje, e cila në fakt është e përsëritur, pasi ka ndodhur edhe në sezonin e kaluar kur ekipi drejtohej nga Orges Shehi.
“Nuk jam në dijeni për bojkotin… Nuk merrem me ekipin, se kam punë të tjera”, është shprehur shkurtimisht kreu i klubit.
Më pas, “Panorama Sport” ka kontaktuar edhe drejtorin sportiv të Kukësit, Nderim Nexhipi, i cili ka mohuar që futbollistët të kenë bojkotuar stërvitjen. Sipas tij, kjo ngjarje nuk është e vërtetë. Megjithatë, çdo gjë mbetet për t’u parë se si do të rrjedhë situata.