Milani në këtë sezon po kalon një situatë shumë të komplikuar. Nga njëra anë ekziston dëshira për t’u përforcuar e për t’u bërë një nga klubet kryesore në Itali, por nga tjetra, mbi kokën e kuqezinjve rëndon kërcënimi i UEFA-s për rregullimin e bilanceve financiare. Kësisoj, nëse nuk arrihet vendi i katërt, që siguron milionat nga Liga e Kampioneve, kuqezinjtë mund të detyrohen të sakrifikojnë lojtarë të rëndësisshëm për të rregulluar bilancin.

Një nga të parët që mund të transferohet dhe që ka “treg” është Frank Kesi. Mesfushori nga Bregu i Fildishtë, edhe pse është një nga pikat kyçe të mesfushës së Milanit, mund të sakrifikohet duke pasur parasysh se për të ka interesim nga gjigandët anglezë si Çelsi e Totenhem të cilët përballojnë pa problem koston e kartonit të tij, i cili aktualisht vlerësohet 40 milionë euro.

Por gjithçka do të jetë në varësi të kualifikimit apo jo të Milanit në Champions në fund të këtij sezoni. Nëse kuqezinjtë nuk ia dalin të sigurojnë të paktën vendin e katërt në kampionat, Kesi duhet të fillojë të bëjë gati valixhet./vipsport/