Drejtuesit e Panathinaikos janë në kërkim të përforcimeve për sulmin dhe mediat greke shkruajnë se një nga lojtarët që po ndjekin është edhe anësori shqiptar 29-vjeçar, Myrto Uzuni, i cili i përket Granadës. Kontrata e futbollistit skadon për dy vite, më 30 qershor 2026 dhe vitin e kaluar ai shënoi 11 gola në Primera Division.
Interesimi i gjigantit grek për Uzunin u konfirmua nga faqja spanjolle “ideal.es”. Në shkrim thuhet se sulmuesi shqiptar nuk dëshiron të luajë në Segunda Division pas rënies së Granadës nga kategoria dhe është duke vlerësuar për opsione të ndryshme për të ardhmen e tij.
Uzuni shfaqet pozitiv për transferimin në Greqi. Ai u rrit në një ishull grek, përpara se të bëhej një futbollist i klasit të parë. Sipas artikullit, Panathinaikos ka shanse të mjaftueshme për të rënë dakord me Granadën për transferimin e Uzunit.