Shqipëria mori një barazim të rëndësishëm përballë Çekisë në rrugëtimin drejt “EURO 2024”. Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, foli për këtë sfidë, duke e krahasuar gjithashtu me atë barazim kundër Danimarkës, që ishte si një shtysë drejt kualifikimit historik për në Europianin e 2016.

“Besoj se jemi të gjithë të lumtur për këtë pikë. Përsëri të lodhur sepse dhamë gjithçka në fushë. Edhe pse nuk ishte ndeshja jonë më e mirë. ishte ajo që përgatitëm. Edhe pse po të kishim më shumë fat mund të luanim më mirë në metrat e fundit për të marrë fitoren, por edhe ky barazim ishte OK.

Kur luan kundër skuadrave të forta, ato të penalizojnë. Ti i jep gol dhe dukesh i goditur si në boks. Merr një goditje dhe duhet të ngrihesh. Këto gjëra nuk duhet të ndodhin. Sepse me këto ekipe nuk duhet t’i japësh gol. Duhet ta bëjmë si kjo ndeshje që të ngrihemi sërish dhe pas golit.

Barazim si ai me Danimarkën? Shpresojmë që të jetë e njëjtë si ajo kur bëra debutimin. Dje isha disa minuta me familjen dhe më treguan për debutimin atëherë në Danimarkë. Shpresojmë të jetë i njëti fat si atëherë dhe gjërat të ndodhin kështu.

Me shirit, pa shirit jam shumë i lumtur për këtë gjë. është diçka shumë e bukur ta mbash shiritin e Kombëtares. Kemi folur me trajnerin, jemi 4-5 lojtarë që jemi të gjithë lider. Kush e mban shiritin nuk ka rëndësi, rëndësi ka rezultati”, u shpreh Gjimshiti për “Super Sport”.