Kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti ka dalë në konferencën për shtyp në krah të trajnerit Silvinjo, në prag të ndeshjes së nesërme me Çekinë e vlefshme për “EURO 2024”.

“Për momentin nuk e di, por në futboll duhet të fokusohesh ndeshje pas ndeshje. Momenti është shumë i bukur dhe i vështirë, por jemi gati për këtë ndeshje. Euforia është më shumë jashtë se brenda, ne i dimë vlerat e kundërshtarit dhe vlerat tona. Çdo ndeshje është e vështirë, por i dimë vlerat dhe cilësitë tona dhe besoj do të jemi gati për këtë ndeshje.

Ismajli është një mungesë për të gjithë skuadrën, por kemi lojtarë që janë me vite në Kombëtare dhe besoj se s’ka për të qenë problem. Sidomos për mua, pasi u besoj të gjithë lojtarëve njësoj. Çekia është një skuadër shumë fizike, që luan shumë me krosime dhe goditje standarde. Besoj do jetë e njëjta ndeshje nesër, nuk ishte e lehtë të merrnim barazimin, por ia dolëm.

Nesër ta shikojmë ishalla kemi më shumë raste dhe të shënojmë e fitojmë. E pash sot në Instagram, por po shpresoj, le ta shohim. Më shumë rëndësi ka suksesi i Kombëtares, që të fitojë s’ka rëndësi kush shënon. Kemi tre ndeshje të vështira, por do të jap maksimumin, por duhet ta marrim ekip prej ekipi ose ndeshje prej ndeshje. Do vij në Preshevë edhe nëse ndodh e kundërta, pasi kam gjyshërit atje, vij me qejf atje se kam njerëzit e mi.

Sigurisht që është një moment vendimtar dhe jo vetëm, nesër është një ndeshje vendimtare, por edhe të tjerat. Besoj se trajneri juaj do të flasë nesër pas ndeshjes se si ishte atmosfera në stadium. Shqiptarët dinë të bëjnë atmosferë dhe besoj se do të jetë në favorin tonë”, deklaroi ai.