Vllaznia u mposht në javën e katërt të Superiores në shifrat 2-1 ndaj Laçit. Një humbje që duket se “shkund” pak ambientin shkodran sepse sezonit nuk i është bërë nisja më e mirë e mundshme. Kjo pasi pas 4 javëve të para, Vllaznia ka vetëm 5 pikë. Që nuk janë të mjaftueshme për tu renditur në 4 ekipet më të mira për momentin.
Por ajo që duket se i mungon kuqebluve këtë sezon është cinizmi dhe finalizimi për të “vrarë” ndeshjet. Duke nisur që nga ndeshja e parë me Kukësin. Ku ekipi pasi kaloi në avantazh 1-0 mund ta thellonte akoma më tepër atë. Por pësoi për shifrat provizore 1-1, që në fund do ishin 3-1 për shkodranët. Të cilët komplikuan një ndeshje që e kishin totalisht nën kontroll.
Po ashtu edhe barazimi 2-2 ndaj Erzenit, ju shkodranët morën një avantazh të hershëm me Balajn. Por rastet e humbura më pas u kthyen në “bumerang”, ku shkodranët u përmbysën në 2-1 dhe në fund takimi përfundoi në barazim.
Po ashtu edhe dueli ndaj Partizanit në shifrat 0-0. Ku nisja e mirë e takimit nga Vllaznia nuk u përkthye në rezultat. Pavarësisht se kundërshtari luajti me 10 lojtarë që nga minuta e 14-të.
Edhe dje ndaj Laçit u përsërit historia, Vllaznia kaloi në avantazh me Boshnjakun që në minutën e tretë. Dhe me pak gjakftohtësi dhe cinizëm mund të kishin dyfishuar që në 10 minutat e para me rastet e Grudes apo Males.
E në fund ekipi u përmbys nga kurbinasit për rezultatin 2-1. Patjetër që shkodranët duhet të gjejnë rrugën për të “vrarë” ndeshjet dhe jo ti komplikojnë ato siç kanë bërë në këto javë.
Endri ÇINARI