Ernest Gjoka e nisi mbarë aventurën te Kukësi, duke marrë një fitore që i mban ende në garë për titullin dhe i ndihmon edhe në aspektin psikologjik. Është vetë trajneri që e pranon në një prononcim për “Panorama Sport” se trepikëshi u jep zemër. “Kjo fitore që arritëm të merrnim na duhej realisht shumë për anën psikologjike.

Një trepikësh që vjen në një moment delikat dhe na jep moral. Duhet të bindim veten, që kemi mundësi të jemi deri në fund kompetitivë. Kemi probleme dhe me dëmtimet, por shpresoj që brenda javës tjetër të rikuperojmë lojtarët, kam besim te skuadra. Ata kanë potencial për të bërë gjëra speciale”, u shpreh fillimisht numri një i stolit.

FITORJA
Fitorja ndaj një kundërshtari si Laçi, aq më tepër në transfertë, e kënaq shumë trajnerin dhe ai këtë gjë nuk e fsheh. Sa i përket lojës, Gjoka thekson se e mori sinjalin që ka në grup elementë tejet inteligjentë dhe po mundohet ta kuptojnë atë.

“Jam i kënaqur, por sigurisht duhet të ndryshojmë akoma në aspektin e agresivitetit dhe disiplinës taktike. Këto janë disa gjëra që unë kërkoj dhe sinjalin e mora të mërkurën. Me vetëm dy ditë stërvitje, futbollistët më kuptuan deri diku dhe i bën mirë ato detyra që u pata lënë. Kam besim tek ata, janë lojtarë inteligjentë dhe me potencial”, theksoi ai.

TIKI-TAKA
Në rastin e golit spektakolar të Limajt, para se ai të realizohej, u kryen plot 29 pasime, e nëse ai ishte apo jo i rastësishëm, na e tregon kreu i pankinës: “Goli dhe ai aksion shumë i mirë me shumë pasime erdhi ngaqë kundërshtari ishte rreshtuar totalisht mbrapa dhe ne po qarkullonim topin për të gjetur hapësira. Mua me pëlqen ai stil loje, por shpesh skemat apo mënyra e lojës ndryshojnë në bazë të kundërshtarit. Por, si filozofi më pëlqen ta implementoj”.

KOHA
Gjoka ka vetëm 5 ditë në krye të Kukësit, por duke parë ndeshjen e debutimit të tij, duket sikur nuk është larguar kurrë. Paçka këtij fakti, trajneri thekson se që ekipi të marrë fizionominë e trajnerit dhe lojës së tij i duhet pak kohë.

Nga ana tjetër, ai është besimplotë se skuadra do përshtatet shpejt me mënyrën e lojës së trajnerit. “Të gjithë e dimë që çdo ekip dhe çdo trajner do kohën e nevojshme për t’u shkrirë me njëri-tjetrin, por unë kam besim se do ta kalojmë shpejt këtë fazë”, theksoi tekniku 39-vjeçar.

FLAMURTARI
Ditën e diel verilindorët do të presin në “Elbasan Arena” Flamurtarin. Për këtë takim nënkampionët kërkojnë t’i mundin vlonjatët, ndeshje të cilën trajneri e konsideron shumë të rëndësishme. “Çdo gjë ka kohën e saj, ndonëse jam besimplotë që së bashku me ekipin do ta tejkalojmë shpejt. Ndeshja me Flamurtarin është shumë delikate dhe ne duhet të jemi shumë të përqendruar”, përfundoi Gjoka.