Katër sezone më parë në krye të Vllaznisë erdhi në staf trajnerësh italianë me  në krye Baldo Rainerin që në stafin e tij kishte Davide Belottin, Sabino Oliven dhe Danielle Nervin. Gjatë atyre pak muajve që qëndruan në Shkodër, sollën një mënyrë të re pune. Kamera dhe matësit elektronikë të rezistencës e shpejtësisë, ishin pjesë e punës së tyre.

Dhe pas përfundimit të stërvitjes përfundonin në kompjuter e më pas analizoheshin për orë të tëra prej tyre në darkë në mënyrë që të përmirësonin parametrat e sportistëve për ditën e nesërme. Por në Shkodër në fakt nuk e pëlqenin një mënyrë të tillë. Aq sa, kur dallonin zëvendëstrajnerin Belotti që më shumë merrej me kamera duke filmuar ndeshjet apo stërvitjet, nxorrën humorin se “një kameraman tek Vllaznia paguhet 2000 euro”! Italianët u larguan por lanë pas një përshtypje të mirë për mënyrën si punuan. Ata që erdhën pas tyre, nuk e aplikonin një mënyrë të tillë. Por këta të fundit po.

Trajneri Ernest Gjoka dhe stafi i tij i përbërë nga Fatjon Tafaj, Gjergji Poloska e Alfred Osmani vepron në të njëjtën mënyrë. Të dhënat e stërvitjes dhe të ndeshjeve përfundojnë në programet kompjuterike dhe analizohen me shumë kujdes. Fotot e mëposhtme e tregojnë më së miri këtë gjë. Ja pra që edhe shqiptarët “e ditkan” kompjuterin! Madje shumë mirë. Jo më kot, ky staf ka patur sukses sezonin e kaluar tek Kukësi ku jo vetëm u shpallën kampionë por për 35 javë me rradhë nuk i mundi askush. Në Shkodër megjithatë ka “pakënaqësi”. Nga tre vetë që kishte stafi i Cungut më parë, ky aktuali ka një më shumë, përgatitësin atletik pa të cilin Gjoka nuk lëviz askund. Dikush bën llogaritë e shumës që shpenzohet për këtë staf, dikush tjetër pse duhet “i gjithë stafi me jabanxhinj” e gjëra të tjera të ngjashme me to. Askush nuk pret të shohim frutet e punës së këtij stafi dhe ky është një problem i madh në këtë qytet. 

© shkodrasport.com