Trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka, u shfaq në një konferencë për shtyp para ndeshjes me Kukësin në stadiumin “Zeqir Ymeri”, në program nesër, prej orës 14:00.

Numri një i stolit preku sfidën e nesërme, por foli dhe për mungesën e mbrojtësit Renato Malota.

Kukësi – “Kaluam dy ndeshje të vështira, por dhe nesër kundër Kukësit është shumë e vështirë.

Ata janë ekipi kampion i Shqipërisë, nuk po kalojnë një moment të mirë dhe ne luajmë në transfertë. Jemi përgatitur si duhet dhe besoj se do të dalim me rezultat pozitiv”.

Malota – “Mungesa e tij është një problem shumë i madh. Nuk e dimë çfarë të themi, por dimë se na mungon një nga lojtarët tanë më të rëndësishëm. Nuk kam asnjë kontakt me avokatin e Malotës, nuk di çfarë të them, por shpresoj ta zgjidh sa më shpejt.

Mungesa e tij e prish sistemin e lojës së ekipit, pasi kishim krijuar një ekuilibër me të. Malota ishte lideri i saj. Duhet ta kthejmë në forcë dhe të vazhdojmë përpara”.

Ndeshja e kaluar – “Çdo ndeshje ka specifikat e veta, ishim në avantazh 0-2 në fundin e fazës së parë dhe humbëm 1-3 në ‘Loro Boriç’.

Humbja na goditi jo pak dhe psikologjikisht, megjithatë nëse ne ikim dhe zbatojmë mirë detyrat tona dhe sillemi si duhet mund t’ia dalim mbanë”.

Europa apo mbijetesa – “Unë vazhdoj të them se Teuta është një rrezik konstant, pasi nuk mendoj se ata do të rrëzohen nga Superiorja. Duhet të kapim ekipet e tjera dhe të mundohemi t’i qëndrojmë larg durrsakëve”.

Rezultati – “Do të na kënaqte dhe barazimi, vetëm humbja s’do të na kënaqte”.

Mungesat – “Vucaj nuk mund të sakrifikojë. Krymin do e shohim. Falenderoj stafin mjekësor që ka bërë të gatshëm Gocajn, por ka punuar mirë dhe me të tjerët”.

Vllaznia B – “Jam njeri i sportit dhe më vjen turp që dëgjoj të tilla situata. Duhet një dorë e fortë, nëse fjalët janë të vërteta duhet të merren masa”.