Nëse deri në fund të dhjetorit “ka patur të drejtë” të ankohet për përbërjen e skuadrës, gjendjen fizike dhe shumë gjëra të tjera, tani e tutje kjo gjë nuk vlen për stafin aktual të Vllaznisë me në krye Ernest Gjokën. Merkatoja e janarit është zhvilluar sipas “shijeve” të tij dhe ndonëse mund të mos jetë më e mira e mundshme, sërish të gjithë duken të kënaqur me lëvizjet e bëra. Kuptohet që e mira do të ishte që ky staf ta kishte ndërtuar skuadrën që nga fillimi i sezonit por edhe kështu nuk është keq.
I pyetur nëse vërtetë tani mund ta quajmë ekipin aktual, “Vllaznia e Gjokës”, timonieri i kuqebluve i është përgjigjur: “Mund të mendojmë edhe kështu se kjo është skuadra ime tashmë por unë kam dëshirë dhe dua që të drejtoj skuadra me lojtarë shumë cilësorë brenda dhe lojtarë me ekperiencë. Që të shkohet përpara, unë mendoj se sa më shumë cilësi të kesh brenda në skuadër, aq më shumë rezultate do të kesh. Gjithsesi unë mendoj se kemi pesë ardhje të reja, kështu do të them.
Do të kemi një ndryshim mentaliteti. Kërkoj një mentalitet fituesi dhe këtë kërkoj që ta betonoj tek kjo skuadër”. Po ashtu, Gjoka e ka pranuar qartë se tashmë nuk mund të ketë më alibi dhe justifikime për rezultate negative dhe këtë ai ua ka bërë të qartë edhe vetë futbollistëve. Prandaj, pret prej tyre që nesër të tregojnë veten dhe të marrin fitoren ndaj Kukësit.
© shkodrasport.com