Trajneri i skuadrës së Vllaznisë, Ernest Gjoka është shprehur i mërzitur pas humbjes ndaj Flamurtarit, por strategu i njohur theksoi se futbollistët e tij dhanë maksimumin. Ish-strategu i Kukësit, tha se lojtarët janë në presion nga pozicioni në renditje. “Mendoj që pavarësisht nga humbja, futbollistët dhanë maksimumin në mundësitë që kemi. Kjo nuk mund ta justifikojë disfatën e sotme. Presioni i vendit që kemi, po ndikon shumë negativisht, dhe kjo është ajo që na pengon që të ecim përpara.
Po mundohem që t’u jap besim me futbollistët që kam në dispozicion. Pjesa e parë ishte e vështirë, por në pjesën e dytë ekipi kishte një tjetër uri përpara portës. Futbollistët e Vllaznisë po japin maksimumin e tyre, ndoshta për momentin kaq i kemi mundësitë. Skuadra ka ndryshime, pasi ekipi ka më shumë shanse shënimi. Nuk po shoh ndonjë problem që blerjet e reja të verës, të jenë problem për ekipin. Lojtarët nuk mund t’i ndihmojmë nëse i penalizojmë”, tha Gjoka pas ndeshjes.