Emrat e parë për merkaton kuqeblu tashmë kanë filluar të bëhen realitet. Dhe ndër to është padyshim edhe ai i mbrojtësit malazez Stefan Cicmil. Ky futbollist ka qenë edhe sezonin e kaluar pjesë e kuqebluve por u largua në javët e fundit të tij si rrjedhojë e disa probleme që ka patur me ish- trajnerin Cungu. Por për trajnerin aktual Ernest Gjoka, ky futbollist, vlen dhe nëse do të ekzistonte mundësia për ta marrë sërish tek Vllaznia, dera për të do të jetë e hapur.
“Vllaznia ka nevojë për përforcime në mbrojtje dhe kjo tashmë nuk është më një sekret. Jemi duke punuar në këtë drejtim. Cicmil apo ndonjë emër tjetër që ka dalë në media, janë futbollistë që do të na bënin pune me eksperiencën e tyre. Unë nuk jam kundër këtij lojtari si profesionist por nuk është kaq e thjeshtë por janë disa hallka për t’u lidhur në mënyrë që ai të vijë tek ne. E para, që ai është nën kontratë me klubin e tij aktual dhe ndoshta ai nuk e lë të largohet. E dyta pastaj, varet nga oferta që klubi mund të japë për Cicmil. Gjithsesi mendoj se është herët për të folur për këtë çështje. Të mbarojmë njëherë ndeshjen me Partizanin dhe më pas do të mendojmë për të gjitha këto gjëra për të parë se çfarë do të ndodhë me këtë lojtar apo dhe ndonjë tjetër”.
© shkodrasport.com