Natyrisht që atë nuk e ka ngrohur rezultati i thellë i arritur në fitoren e sotme ndaj Vllaznisë B me rezultatin 7-1. Ernest Gjoka e ka të qartë se kundërshtarët në kampionat do të jenë shumë më të fortë megjithatë ai është i kënaqur nga reagimi i skuadrës së tij. “Natyrisht që niveli i kundërshtarit nuk ishte i lartë por gjithsesi gjej rastin të falenderoj trajnerin Ervis Kraja që na e solli ekipin këtu në Ulqin për të zhvilluar këtë miqësore ndonëse lojtarët e tij nuk ishin në formën optimale.
Për ne ishte e rëndësishme të shikonim reagimin e futbollistëve në fushë. Kanë ardhur katër lojtarë të rinj në skuadër dhe ata duhet të ambjentohen me pjesën tjetër të saj. Natyrisht që për Sukajn, Malotën e Mersinin kjo përshtatje mund të jetë më e lehtë ngaqë luajnë prej vitesh në kampionatin shqiptar dhe vetëm Berisha mund ta ketë disi më problem. Por edhe ai besoj se do të ingranohet shumë shpejt. E rëndësishme është që Vllaznia tashmë është më e plotë sepse kemi marrë lojtarë në pozicionet ku kishim më shumë nevojë. Javën tjetër po shohim mundësinë për zhvillimin edhe të një miqësoreje tjetër me një ekip malazez para se të kthehemi në Shkodër ku do t’i japim dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e parë të kampionatit”.
© shkodrasport.com