Mërzia dhe zemërimi për humbjen e djeshme ndaj Laçit padyshim që kanë qenë prezente tek ai megjithatë trajneri Ernest Gjoka është munduar të shfaqet kurajoz në deklaratat e tij të pasndeshjes. Numri 1 i pankinës së Vllaznisë nuk ka dashur të flasë shumë për mbijetesën apo rikthimin e krizës por ka përmendur fjalën “qetësi” dhe përgatitje për sfidën e rradhës me Flamurtarin. “Padyshim që situata nuk është e mirë pas kësaj humbje por duhet të shohim përpara për të dalë nga kjo situatë.
Takimi me Laçin na prishi shumë punë por ne duhet të vazhdojmë rrugën tonë. Dëshirë kemi, uri kemi për të vazhduar punën dhe duhet të vazhdojmë përpara për ta nxjerrë sa më parë Vllazninë nga kjo situatë. Duhet të mendojmë menjëherë për ndeshjen me Flamurtarin të cilën duhet ta pregatisim siç duhet për të marrë një rezultat sa më të mirë të mundshëm”- ka deklaruar Gjoka. Takimi në Vlorë është planifikuar të luhet të shtunën dhe padyshim që konsiderohet tepër i vështirë për kuqeblutë që pas një momenti shprese për ngjitje në renditje, sërish iu kthyen rezultateve negative.
© shkodrasport.com