Të shtunën, në “Loro Boriçi”, është një ndeshje e rëndësishme për Vllazninë, pasi përballë Kamzës nevojitet fitorja që të jep qetësi për klasifikimin. Përveç rëndësisë së pikëve, për kuqeblutë ky është një 90-minutësh interesant për trajnerin Ernest Gjoka, rrugët e të cilit kryqëzohen me Kamzën, ekipin e parë që ka drejtuar në elitën e futbollit shqiptar. Ishte korriku i vitit 2011 kur Gjoka mori drejtimin e skuadrës, e ndërtuar ashtu si edhe sot me elementë që e njihnin kampionatin shqiptar.
Ecuria ishte e mire, por në dhjetorin e atij viti drejtuesit e klubit vendosën të shkëpusnin marrëdhëniet me trajnerin për t’ia besuar skuadrën italianit De Vecchis. Në momentin e shkarkimit të trajnerit Ernest Gjoka Kamza kishte bërë paraqitje të mira. Në kampionatin me 14 skuadra e mbylli fazën e parë në vendin e 7-të me 14 pikë, ndërkohë që për herë të parë dhe të vetme klubi nga periferia e kryeqytetit kaloi në 8 më të mirat e Kupës së Shqipërisë, duke lënë jashtë në fazën e grupeve Teutën, që atë vit kishte ambicie të mëdha. Në fazën e dytë rezultatet e Kamzës nuk u përmirësuan, me skuadrën që u rikthye në inferiore pas vetëm një vit qëndrimi në elitë. Ndërkohë Gjoka vijoi rrugën e tij, duke drejtuar skaudrat e vogla si Tomori e Apolonia për të arritur te trofetë me Flamurtarin dhe majën e suksesit me Kukësin. Të shtunën është një tjetër “melodi”, pasi drejtuesit e Vllaznisë i kanë besuar Gjokës të udhëheqë skuadrën dhe ta largojë nga ftohtësia që dhuron fundi i tabelës së klasifikimit.supersport.al