Pa humbjes me Luftëtarin, që e ka zhytur Vllazninë në një gjendje shumë të vështirë, trajneri Ernest Gjoka mori përsipër përgjegjësitë dhe tha se do të takohej me drejtuesit e klubit, duke nënkuptuar një largim të mundshëm.

Por burime pranë klubit “Vllaznia” bëjnë të ditur për “Vipsport.al” se nuk po mendohet për lëvizje trajneri në këtë moment.

Nga drejtuesit e Vllaznisë gjykohet se nuk është ndryshimi në stol ai që mund ta ndryshojë situatën, kështu që Gjoka do të jetë në stolin kuqeblu deri në fund të kampionatit.

Shkodranët janë në gjendje kritike dhe po ashtu nuk mendohet të ketë masa për futbollistët, sepse kështu vetëm do të përkeqësohej situata.

Askush nuk e mendonte se do të shkonte kaq keq situata, që Vlalznia të mundej në fushën e saj, pasi disfata e Durrësit mund të parashikohej.

Në fakt, në klubin kuqeblu nuk dinë si ta shpjegojnë atë apati të skuadrës në fushë, kur nuk ka asnjë problem, financiar apo të një natyre tjetër, që ta pengojë atë të shprehet si duhet në fushë.

Presioni është rritur shumë dhe javët në vazhdim do të jenë më të vështira.

Vllaznia pret Laçin javën e ardhshme dhe fitorja duhet me çdo kusht, ashtu si dhe me Kamzën në ndeshjen direkte. Por këto nuk mjaftojnë. Duhen pikë edhe jashtë fushe.

Tani drejtuesit e klubit dhe stafi teknik, me në krye trajnerin Gjoka, duhet të gjejnë mënyrën për ta motivuar Vllazninë që të shmangë tragjedinë. /Vipsport/