Trajneri Ernest Gjoka ka afruar 4 futbollistë në merkaton e janarit. Mbrojtësit Renato Malota, Sedat Berisha dhe Ergis Mersini kanë nënshkruar me kuqeblutë, ndërsa sulmuesi Xhevahir Sukaj ishte i pari që iu bashkua grupit. Tekniku Gjoka është mjaft i kënaqur me afrimet e bëra, pasi ka korrigjuar mbrojtjen, një nga repartet e ndërtuara gabim që nga fillimi. Vllaznia vuajti jo pak në gjysmën e parë të sezonit, pasi pësoi 22 gola. Mbrojtja e shkodranëve renditet si e 3 më e keqe në kampionat.
Një tjetër “blerje” e Gjokës është edhe Orelesi. Afrikani do të dalë në pozicionin e tij natyral, në mesfushë. Burime të ndryshme pranë kuqebluve bëjnë me dije se numri një i stolit, Ernest Gjoka, e konsideron të mbyllur merkaton e janarit. Tekniku është mjaft i kënaqur me grupin aktual dhe mendon se skuadra është përforcuar ndjeshëm. 47-vjeçari pranon se merkatoja mund të konsiderohet e mbyllur, sigurisht nëse nuk del ndonjë “okazion” në skenë. /EDS/