Për Ernest Gjokën dhe Vllazninë nuk ka rezultat tjetër përballë Kamzës veç fitores.
Trajneri shkodranëve këtë e di mirë dhe e cilëson një sfidë tejet të vështirë atë ndaj një rivali direkt, por i bindur se skuadra e tij do të bëjë më të mirën për të marrën maksimumin.
“Është një sfidë e fortë dhe është fakt që çdo takim e kemi luajtur për mbijetesën.
Kamza është një rival direkt, por ne duhet të jemi të qetë dhe të marrim rezultat pozitiv për të fituar oksigjen për tri ndeshjet e fundit.
Me barazimin e arritur nuk na dalin llogaritë, prandaj na duhet vetëm fitorja. Duhet të bëjmë gjithçka për gjithçka, aq më tepër në fushën tonë”- deklaron Gjoka.
Në sfidën e kësaj të mërkure për Gjokën është tejet e rëndësishme mbështetja e tifozëve gjatë gjithë 90 minutave, për të arritur te suksesi të gjithë bashkë.
“Uroj që t’i kemi tifozët, ata janë oksigjen për ne. Në Shkodër i kemi zhgënjyer, prandaj nuk kanë qenë të shumtë.
Shpresoj të vijnë e të na mbështesin sepse na duhen në momentet më delikate të sfidës. Shpresoj t’ia dalim dhe Vllaznia të mos luajë më për mbijetesë”- shprehet ai.
Pavarësisht luhatjeve në rezultate besimi i Gjokës se Vllaznia do të qëndrojë nuk është luhatur aspak, madje trajneri shpreh dëshirën që ky të jetë sezoni i fundit që skuadra të jetë në këto pozita.
“Asnjëherë nuk më është lëkundur besimi, edhe kur dimri ishte shumë i egër këtu në Shkodër.
Besoj se do t’ia dalim, edhe pse e dimë që gara do të jetë e fortë deri në fund”- deklaron numri 1 i pankines shkodrane.
Vllaznia nuk do të ketë për këtë ndeshje shërbimet e Orelesit, ndërsa pjesa tjetër e ekipit është e gjitha në dispozicion të trajnerit Gjoka.