Trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka, ka deklaruar se njohuria që kishte për Kukësin e kishte ndihmuar të përballonte sa më mirë skuadrën që kishte shpallur kampion një vit më parë. Në intervistën për “SuperSport”, ai deklaori se nuk dëshironte t’i kthente përgjigje Safet Gjicit për deklaratat që kishet dhënë një natë më parë.

 

“Për hir të së vërtetës, siç e kishim përgatitur ndeshjen na erdhi. E gjetëm në befasi kundërshtarin, po nuk ishim në atë moment psikologjik për të mbajtur deri në fund presionin. Duhet të kemi besim te vetja, po të rritemi psikologjikisht dhe të kuptojmë që edhe ne kemi lojtarë cilësorë brenda, gjërat mund të shkojnë ndryshe”.

Komenti për notën e Gjicit

“Unë nuk kam dëshirë t’i kthej përgjigje presidentit Gjici. Mendoj se kemi bërë një vit të mirë me presidentin, kemi punuar një vit të jashtëzakonshëm. Sigurisht meritën kryesore e ka Gjici, i cili ka punuar, ka ndërtuar një skuadër të mirë. Jam profesionist dhe qytetar, për të lavdëruar njerëzit dhe për të mos ofenduar njerëzit”.

Për tërheqjen në pjesën e dytë

“Mendoj që duhet të ishim më fanatikë për të bërë detyrën në pjesën e dytë, ishin dy gabime që normalisht që bëhen dhe kundërshtari na barazoi. Kjo është çështje psikologjike, po bëmë këtë ritëm do të ecim përpara. Sigurisht që në pjesën e parë ishim shumë në ekuilibër, arritëm të shënonim. Por mendoj se në pjesën e dytë nuk dolëm nga ritmi, por nuk arritëm të realizonim golin e mbylljes së ndeshjes. Kjo na penalizoi, duhet më shumë besim te vetja”.

Sa e ndihmoi njohuria që ka për Kukësin

“Mendoj se nuk kishte si të ndodhte ndryshe, se 5-6 lojtarë i njoh deri në thellësi. Një nga problemet e diskutuara ishet futja e Kale nga qendra. Ai është i vetmi merak nga kjo ndeshje, të paktën ai nuk duhej të shënonte ashtu, e kishim studiuar në gjithçka që Kale do të hynte nga qendra”.

Për mungesën e tifozerisë së Vllaznisë

“Unë e kuptoj çfarë nënkupton futbolli për tifozët shkodranë. Unë premtoj që do të bëjmë maksimumin, për të bërë më të mirën e mundshme. Por na duhet tifozi, është si oksigjen”.