Të shtunën në orën 14.00 në stadiumin “Roza Haxhiu” do të luhet ndeshja Lushnja- Vllaznia e javës së 19-të të Superligës.
Një sfidë shumë interesante por njëkohësisht edhe delikate.
Në kampin shkodran, gjatë gjithë këtyre ditëve është punuar shumë për të kaluar momentin e vështirë psikologjik që pësoi pas humbjes së fundit me Skënderbeun.
Në prag të ndeshjes me Lushnjën, trajneri Ernest Gjoka ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të klubit ku shpreh besimin e tij tek skuadra dhe tek futbollistët për marrjen e fitores në këtë ndeshje.
-Profesor, a e ka kaluar skuadra shokun psikologjik që mori pas humbjes së fundit?
-Jemi munduar gjithë këtë javë të punojmë të gjthë për ta kapërcyer këtë situatë jopozitive ku ndodhemi. Besoj që të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë situatë dhe na duhet të bëjmë çdo gjë për të dalë nga ky makth.
-Probleme me mungesat edhe për ndeshjen me Lushnjën. Do ju vërë në vështirësi kjo gjë për ndërtimin e formacionit?
-Mungesa kemi dy dhe për mua janë të rëndësishme për skuadrën si Krymi ashtu dhe Çinari, sepse skuadra ka krijuar një fizionomi me këto lojtarë.
Por gjithsesi unë mendoj që në këto momente çdo lojtar do të bëjë maksimumin duke treguar personalitet dhe dinjitet për të kaluar këtë moment delikat.
-Sa e rëndësishme është për Vllazninë ndeshja me Lushnjën?
-Për ne është shumë e rëndësishme. Mund të them që ne e shikojmë si jetike për vazhdimësinë.
-Çfarë do ndryshoni tek skuadra për këtë takim?
-Duhet të kuptojmë përgjegjësinë dhe të tregojmë që jemi të aftë që dhe nën presion dimë t’ia dalim. Sepse unë besoj se në skuadër ka djem që kanë personalitet dhe dinë të marrin përgjegjësi në momente të rëndësishme.
-Objektiv për këtë ndeshje, është vetëm fitorja?
-Ne nuk kemi asnjë rrugë tjetër. Duhet të shkojmë për të marrë maksimumin edhe pse e dimë vështirësinë e ndeshjes.
Por në këto momente duhet të ringrihemi për hir të vetes dhe për hir të qytetit i cili po e përjeton këtë situatë njësoj si ne.
Dhe ne e kemi detyrë jo vetëm profesionale por dhe qytetare të ringrihemi. Unë besoj tek skuadra se do të arrijë të bëjë më të mirën për të dalë nga ky ngërç.
© vllaznia.al