Në një intervistë për “Star Plus”, ka ardhur një tjetër reagim nga ana e trajnerit, Ernest Gjoka, për kërcënimin e ndodhur në ditën e djeshme.
Trajneri i Vllaznisë është shprehur se nëse do të kapet autori i kësaj ngjarje, atëherë do të shpëtojë edhe ekipi i Vllaznisë.
Gjithashtu Gjoka është shprehur se familja ka kërkuar largimin e tij nga klubi i Shkodrës, por për të nuk ka asnjë dyshim në vazhdimësinë e projektit.
“Ky është problemi që ka pasur Shkodra. I japin vendin fëmijëve në mënyrë të pamerituar. Nëse nuk e meriton fëmija të vij në ekip, ai nuk vjen. Nuk ka trajner në botë, që nuk e kërkon një talent. Nuk ka nevojë për ndërhyrje.
Skuadra ka përjetuar ankthin, mërzitjen dhe e kemi kaluar këtë situatë së bashku me mua. Kishim kohë që e përjetonim presionin e gazetarëve dhe ambientit përreth, që nuk duan që Vllaznia të eci përpara. Megjithatë ajo ngjarje na bëri së bashku akoma më shumë.
Në stërvitjen e sotme u mundova që të kishim lojëra më argëtuese për të kaluar situatën, por nuk është e lehtë që ata të shohin sesi kërcënohet me thikë trajneri i tyre. Në futboll asgjë nuk vjen shpejt, por kërkohet shumë durim.
Familja ka reaguar duke më këshilluar që të marrë çantën dhe të kthehem pasi është shumë e ndjeshme.
Por miqtë e mi më kanë dhënë një ndihmë për të bindur familjen time, sepse unë nuk dorëzohem dhe do ta bind familjen time që të qetësohet, për të vazhduar sërish me Vllazninë.
Unë e di se kush është Shkodra e vërtetë dhe pjesa e shëndoshë e këtij qyteti më respekton.
Policia duhet të gjejë me patjetër fajtorin, jo sepse është Ernest Gjoka, por për të treguar se Shkodra nuk është një qytet ku bëhet gjithçka.
Ai njeri është dora, dua të di se kush është koka që e drejton. Kur të merret vesh se cili është ai njeri, atëherë do të shpëtojë Vllaznia”, është shprehur Ernest Gjoka. /vipsport/