Ernest Gjoka është një ndjekës i Pep Guardiolës dhe duket sikur po e “imiton” pak në merkaton e janarit. Tekniku spanjoll ka afruar te Manchester City tre mbrojtës, po aq sa tekniku kryeqytetas te Vllaznia. Ditën e djeshme janë prezantuar Ergis Mersini dhe Renato Malota, që e bëjnë mbrojtjen kuqeblu të kompletuar. Për krahun e djathtë të prapavijës janë disa alternativa, me Gocajn dhe Gurishtën favoritë, por edhe Pjeshka mund të përdoret në ndeshje të veçanta.
Ky i fundit është alternativë edhe për qendrën, ku Malota dhe Berisha me shumë gjasa do të jenë titullarë në vazhdim. Marku dhe Orelesi gjithashtu janë polivalentë, me shkodranin që do të rivalizojë në krahun e majtë me Mersinin dhe Ruqin.
Në këtë mënyrë trajnerit Gjoka nuk do t’i “dhembë koka” kur të kthejë kokën nga stoli, apo kur të ketë probleme dëmtimesh a pezullimesh, pasi tashmë mbrojtjen e ka kompletuar dhe Vllaznisë i duhet të nisë të fitojë ndeshje e të grumbullojë pikët e nevojshme për të bërë të paktën një kampionat të qetë./EDS/