Që nga momenti kur ka ardhur në krye të Vllaznisë, është munduar t’i injektojë kërkesën për t’u bërë protagonistë disa prej lojtarëve më me emër të kësaj skuadre.
Ernest Gjoka kërkon që disa futbollistë të jenë liderët e vërtetë të grupit, ata që udhëheqin skuadrën. E thotë edhe në prononcimin e tij të pragndeshjes me Teutën. Ja prononcimi i tij i plote:
-Profesor, këtë herë skuadra e grumbulluar dy ditë para ndeshjes. Kjo duket se tregon më së miri për rëndësinë që i keni kushtuar përballjes me Teutën?
-Ndeshja në fakt është shumë e rëndësishme sepse jemi në një pikë kritike dhe këtë gjë e dimë të gjithë, që nga unë i pari dhe deri tek i
fundit. Por grumbullimet janë një praktikë e zakonshme.
Kur isha vjet tek Kukësi, kështu kemi vepruar gjithmonë. Kemi shkuar gjithmonë dy ditë para në Kukës dhe kjo gjë na jepte qetësinë për ta përgatitur ashtu si duhet ndeshjen e rradhës.
Këto janë gjëra të domosdoshme në futbollin e sotëm. Këtu tek ne ndoshta nuk janë mundësitë për ta bërë rregullisht këtë gjë. Por meqë ndeshja me Teutën ishte shumë e rëndësishme, e menduam ndryshe këtë herë.
Për këtë arsye, falenderoj edhe presidenten e klubit, kryebashkiaken Ademi, që na e dha këtë mundësi. Shpresoj që edhe në ndeshjet e ardhshme të na krijohen të tjera mundësi për grumbullime të tilla sepse veç mirë i bëjnë skuadrës.
-E keni cilësuar jetike ndeshjen e kaluar me Lushnjën por duket se e tillë është edhe ndeshja e nesërme me Teutën, apo jo?
-Po e vërtetë që fitorja me Lushnjën ishte jetike dhe sigurisht që të gjitha ndeshjet janë jetike për ne. Për momentin ku ndodhemi, për ne nuk ka asnjë moment qetësie derisa të dalim nga ky ngërç.
Ky kampionat ka treguar se është shumë më i egër se ai i vjetshmi, ka treguar se një ecuri e mirë prej 2-3 ndeshjesh nuk mjafton për të treguar se skuadra funksionon ashtu si duhet.
Prandaj dhe ndeshja e rradhës është shumë e rëndësishme për ne dhe duhet ta zgjidhim në mënyrën e duhur.
-Pra, ju po thoni që Vllaznia do të hyjë në fushë vetëm për fitore nesër?
-Ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër dhe ky është problemi kryesor. Kur them se skuadra është në një ngërç psikologjik dhe nën stres, është pikërisht prej kësaj.
Në këtë moment ku ndodhemi, sapo skuadër elitare të jemi, duhet të dimë të dalim prej saj. Të përballojmë edhe shumë aspekte të jashtme për të kaluar këtë moment.
Në qoftë se skuadra do të jetë e qetë në fushë dhe uroj që do të jemi të gjithë bashkë me të njëjtin qëllim, unë besoj se do ta kalojmë këtë situatë dhe do ia dalim të arrijmë objektivin që kemi me Vllazninë.
-Po flisni për qetësinë që në fakt edhe sulmuesi kryesor i skuadrës Sukaj nuk e ka patur. Pas golave me Lushnjën, a do të mund të shohim tashmë Sukajn e vërtetë në fushë?
-Sukaj nuk e ka pasë qetësinë e duhur sepse po e përjeton shumë ardhjen në Shkodër dhe atë përgjegjësi që ka marrë. Që kur e kemi marrë, kam thënë se Sukaj ka nevojë për kohë.
Ai vinte nga një dëmtim, nga një periudhë mosaktivizimi me Partizanin, vinte nga një natyrë ndryshe stërvitje. Tashmë tek Vllaznia jo vetëm po stërvitet shumë mirë por unë dua ta falenderoj për përgjegjësinë që ka marrë por kjo e ka bërë disi të ngurtë.
Ai përveçse është shumë pozitiv në grup, ka edhe cilësitë të cilat askush nuk ia vë në dyshim. Sukaj, Lika dhe disa djem të tjerë me eksperiencë, duhet të bëhen lokomotiva e kësaj skuadre.
-Tifozët shkodran zakonisht vijnë në stadium. Por sa herë që vijnë shumë, zhgënjehen dhe largohen. Duket se ka një interesim disi të madh për ndeshjen me Teutën, do t’i zhgënjejë sërish Vllaznia ata?
-Ky është një problemet që më shqetëson më shumë sepse s’po jemi të zotë akoma t’i japim ngrohtësi dhe dashuri për ekipin e tyre. Kemi folur dhe me skuadrën dhe po mundohemi shumë që t’i japim ngrohtësi qytetit, tifozëve tanë.
Në mënyrë që ata të ndjehen krenarë dhe të na mbështesin gjithë kohës. Besoj dhe uroj që nesër do të jetë ndryshe dhe nesër të gjithë bashkë të dalim të gjithë të gëzuar në fund të ndeshjes.
-Do të luajë në sulm Vllaznia apo do të jetë një skuadër e kujdesshme në fushë?
-Në futboll duhet të jesh pak pragmatist. E rëndësishme në këto momente është që të arrijmë të fitojmë. Po e arritëm këtë gjë, çdo gjë do të jetë mirë.
Jemi në momente delikate dhe nuk duhet të kalojmë në eufori. Edhe nëse do ta kemi nën kontroll lojën, nuk duhet të kalojmë në eufori dhe të lejojmë hapësira.
Këto janë ndeshje që duhen fituar me çdo kusht, nuk ka rëndësi e bukur apo e shëmtuar ndeshja. E rëndësishme është të kalohet me sukses.
© shkodrasport.com