Teuta-Vllaznia përmbyll javën e 29-të të Kategorisë Superiore. Është nje takim mjaft i rëndësishëm për të dyja ekipet, që kërkojnë të sigurojnë sa më parë mbijetesën.

Situata nuk është aspak e mirë, me durrsakët që renditen në vendin e parafundit me tre pikë më pak se shkodranët, ndaj edhe do kërkojnë me çdo kusht të marrin pikët e plota në këtë takim.

Trajneri Gjoka, në fjalën e tij për mediat, vlerësoi rëndësinë e ndeshjes por tha se nuk është vendimtare për fatet e mëtejshme në kampionat:

-Profesor, sfida në mes Teutës dhe Vllaznisë ka marrë një rëndësi të madhe. E vlerësoni të tillë edhe ju?

-Është një ndeshje e rëndësishme, por sigurisht nuk është vendimtare. Është një ndeshje e rëndësishme për momentin ku ndodhemi, për momentin që po kalojmë dhe kur na duhet të mbajmë larg kundërshtarin që kemi mbrapa.

Kjo i jep njëfarë rëndësie dhe ka një angazhim shumë të madh për ndeshjen e nesërme”, tha Gjoka fillimisht, teksa këmbëngul që mos të merret si një ndeshje që do t’i vulosë të gjitha, ndaj edhe një pikë vlen në këtë moment.

-Thatë nuk është vendimtare por Vllaznia duket e favorizuar për këtë ndeshje, ngaqë luan për dy rezultate apo jo?

-Nuk është vendimtare, për vetë faktin se luhen shtatë ndeshje deri në fund dhe ka sfida në lojë plot.

Është vendimtare në këtë situatë, duhet ta mbajmë larg kundërshtarin. Psikologjikisht duhet ta shikojmë jo si një ndeshje që është ky takim dhe mbaron këtu kampionati, ndaj të luhet gjithçka për gjithçka.

Është një ndeshje e rëndësishme që e kemi përgatitur me seriozitet dhe qetësi të mundohemi të marrim gjithçka, me kuptimin që mos të dalim me humbje.

-Pra, po thoni se edhe barazimi vlen?

-E rëndësishme është që të mos humbim, pasi ruajmë distancën me kundërshtarin, edhe pse është e vogël, por ka rëndësi, pasi është distancë.

Le t’i ngjitim shkallët një nga një, kjo është e rëndësishme”, shtoi trajneri i Vllaznisë.

-Malota duket se pavarësisht dëshirës, nuk ia doli për këtë ndeshje, apo jo?

-E provuam, por ka 22 ditë pa stërvitje prej problemeve që kishte, në testet që bëmë nuk mund të ishte në fushë, por do të jetë në stol.

-Beson Gjoka vërtetë se mund të fitojë në Durrës?

-Unë kam besuar që ditën që kam ardhur të Vllaznia, kam kërkuar durim për të ecur përpara. Nuk bëhet gjë me sustë.

Me rëndësi është që treni jonë i Vllaznisë të ecë dhe të mos ndalojë. Kjo është shumë e rëndësishme”.
© shkodrasport.com