Ernest Gjoka është pjesë e historisë së Kukësit, pasi ishte ai trajneri që së bashku me lojtarët e sezonit 2016-2107, arritën t’i jepnin titullin e parë verilindorëve. Gjoka në një lidhje nga Tetova, ku momentalisht drejton Shkëndijën, për emisionin “Pressing”, ka analizuar sfidën mes Tiranës dhe Kukësit.
I pyetur se kush do ta fitojë këtë sfidë dhe për kë Gjoka bën tifo, ai është përgjigjur: “Do fitojë ajo skuadër që do di të kryejë më mirë detyrat dhe të kapë situatën para portës. Tifoz? Pak më shumë po anoj nga kollarja shumë e bukur e Ervin Bulkut, të cilin e përshëndes”.
Kjo gjë nuk është pritur shumë mirë nga ish-kapiteni i Kukësit, Rrahman Hallaci, i cili është shprehur: Dikush ka dëshirë të fitojë Tirana, por duhet të ishte pak më i kujdesshëm. Profesori që po fliste, duhet të ishte pak më i kujdesshëm. Mendimi im: Të thoshte që të fitojë skuadra më e mirë”.
Ndërkaq Gjici për këtë deklaratë të Gjokës i është kthyer ironikisht: “Do marrë kollaren e Bulkut, se Tiranën nuk ia jep kush”.