Çështja e shumëpërfolur e arbitrave për ndeshjen Teuta- Vllaznia tashmë ka marrë fund dhe këtë sfidë do ta drejtojë një arbitër i Superligës tonë.

Trajneri i kuqebluve Ernest Gjoka në konferencën e shtypit të ditës së sotme, ka folur edhe në lidhje me këtë çështje, teksa ka thënë:

“Ka qenë një periudhë e vështirë për gjykimin në kampionatin shqiptar.

Shumë skuadra janë ankuar duke krijuar njëfarë mosbesimi ndaj arbitrave tanë.

Por unë mendoj dhe dëshiroj që në këtë sfidë të jetë një nga arbitrat më të mirë të kampionatit shqiptar, të jetë një ndeshje e rregullt sa i takon arbitrimit dhe të fitojë më i miri”.

Por, a ka frikë Gjoka nga gjykimi sepse kohët e fundit po flitet shumë për një favorizim të Teutës nga arbitrat?

Përgjigja e trajnerit të Vllaznisë është e tillë: “Nuk është çështje frike. Ne duhet të shkojmë në fushë për të marrë atë çfarë do të prodhojmë në fushë.

Në qoftë se ndodh kështu, atëherë duhet t’i themi faleminderit por nëse do të varemi nga gjykimi atëherë sigurisht që do të jetë e frikshme por do të jetë edhe një moment i keq për futbollin shqiptar”.
www.shkodrasport.com