Trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka, pranoi pas humbjes në shtëpi me Laçin se skuadra e tij bëri shumë gabime në këtë 90-minutësh. Ai ka theksuar se të gjithë duhet të ndërgjegjësohen për situatën aktuale: “Ndjej shumë keqardhje, sepse humbëm një ndeshje, që duhet ta kishim interpretuar më mirë.

Bëmë shumë gabime dhe nuk arritëm të shpreheshim si duhet në fushë. Mendoj se duhet të ndërgjegjësohemi për momentin ku jemi, pastaj të flasim për merkatos, që do të thosha se është shumë larg. Penalltia e Laçit? E kemi pranuar, nuk e kemi kundërshtar. Ka një rast të diskutueshëm për ne, kur mund të kishte penallti. Po t’i kishim bërë mirët punët se pas golit që shënuam, do të flisnim ndryshe. Kemi lojtarë me kualitet dhe me përvojë, të cilët janë boshti i ekipit, por sot gabuam shumë, që nga mbrojtja dhe deri lart.Duhet të rregullojmë gabimet çdo javë. Isha i sigurt se sot do të ishim më të qetë, por sërish bëmë shumë gabime. Kjo është diferenca”, – u shpreh trajneri i Vllaznisë pas humbjes në “Loro Boriçi” me Laçin.