Vllaznia është në prag të greminës dhe patjetër që për t’i shpëtuar rënies në të, i duhet të fitojë pikësëpari ndaj Kamzës në ndeshjen e rradhës. Kjo është deklarata e bërë nga trajneri i saj Ernest Gjoka në konferencën e shtypit të kësaj pragndeshje ndonëse ekipi do të ketë sërish mungesa. “Patjetër që e kemi të detyrueshme të bëjmë kthesën në ndeshjen e nesërme ndaj Kamzës. Ndodhemi në një pozitë shumë shumë të keqe.
Ne jemi në një moment të tillë që na duhet të kacavirremi për të dalë nga humnera sepse jemi në buzë të humnerës. Nuk do jetë e lehtë sepse Kamza është surpriza e këtij sezoni dhe do të vijë për të marrë pikë edhe në Shkodër por ne duhet të jemi shumë të motivuar. Kemi probleme sërish me dëmtimet, teksa edhe Hasani e ka mbyllur këtë vit ndërkohë që na rikthehet Marku në formacion dhe po ashtu, do të kemi të gatshëm edhe Bardullën. Shpresoj shumë që djemtë të tregojnë të njëjtin karakter si ndaj Tiranës dhe të marrim fitoren e shumëpritur”- ka deklaruar numri 1 i pankinës shkodrane.
www.shkodrasport.com