Përmirësimi i kushteve të motit ka dhënë ndikimin e tij jo vetëm në drejtim të situatës së përmbytjeve në rajonin e qytetit verior, por edhe tek sporti.
Konkretisht, një gjë të tillë e ka pasur të ndjeshme futbolli, pasi reshjet e shiut, të shoqëruar edhe me dëborë gjatë dy ditëve të mëparshme detyruan skuadrën kuqeblu të drejtuar nga tekniku Gjoka të punonte në kalçeto.
Ndërkohë, dje për teknikun kuqeblu kushtet kanë qenë shumë më të mira se ditët e mëparshme dhe në këtë mënyrë edhe seanca stërvitore e zhvilluar në fushën e stadiumit “Reshit Rusi” ka qenë edhe më produktive.
Edhe pse skuadra për ndeshjen e radhës me Skënderbeun do të vuajë disa mungesa të rëndësishme, tekniku Gjoka shpreh besimin se skuadra që ai drejton do të bëjë më të mirën përballë korçarëve.
Në prononcimin e dhënë për mediat, ndër të tjera, shtyrjen e kampionatit ai e konsideron pozitive për Vllazninë, ndërkohë që është i kënaqur edhe me përmirësimin e gjendjes fizike të Vucajt, por që një gjë të tillë pret edhe nga Krymi.
– Shtyrja e kampionatit edhe për pak ditë, si u prit në skuadrën tuaj?
– Unë mendoj se është më mirë sepse kemi qenë në momente të vështira. Kemi dëmtime dhe na jep mundësinë për t’i rikuperuar në kohë.
Plus më pas edhe për pak qetësi, sepse ka qenë shumë e ngarkuar gjatë periudhës së fundit. Kështu që mendoj se është më mirë, të marrim pak oksigjen dhe të fillojmë përgatitjet për këtë ndeshje që është shumë e rëndësishme për ne.
– Edhe moti në një farë mënyre ju ka krijuar probleme në drejtim të procesit stërvitor…
– Po, sigurisht që çdo gjë është e ndërlidhur, kështu që them se është më mirë që u shty.
– Mungesat vijojnë të jenë prezente, me kartonë dhe me dëmtime…
– Në lidhje me dëmtimet mendoj se tashmë jemi ok, të paktën për Vucajn. Presim Krymin se si është, kemi qenë gjatë të gjithë kohës në kontakt me trajnerin e kombëtares për gjendjen e tij.
Ndoshta, nuk do të luajë sërish Krymi edhe këtë javë, por sigurisht që do ta shikojmë me përparësi gjendjen e tij, kurse ato që na shqetësojnë janë dy mbrojtësit e krahut, plus edhe Malota që përbëjmë tre pika kyçe të skuadrës.
Gjithsesi, po mundohemi të jemi të kujdesshëm për t’i zëvendësuar, dhe mendojmë dhe shpresojmë që të na kthehet edhe Malota.
– Me Skënderbeun mbyllet faza e tretë, e vështirë situata?
– Sigurisht që është e vështirë, sepse vështirësia ka qenë prezente çdo javë, dhe ne e dimë këtë. E dimë që çdo javë ka qenë me risk për ne.
Mendoj se një fazë e tretë është bërë mirë, por nuk ka mjaftuar me kaq, sepse duhen pikët dhe gropa e fazës së parë na penalizon shumë.
Gjithësi, duhet të vazhdojmë të punojmë, jemi akoma në luftë duhet të fitojmë ndeshjet brenda dhe të jemi të kujdesshëm edhe jashtë, të paktën për ndeshjen e fundit mendoj që kemi patur penalizime, jo vetëm nga loja, por edhe nga gjykimi.
Por duhet të vazhdojmë sepse jemi shumë keq, dhe na duhet të ecim përpara.
– Takimet e fundit ju favorizojnë, të paktën kështu duket në letër pasi luani në shtëpi. Si e shihni këtë pjesë?
– Në pamje të parë duket pozitive, por mos harroni që Skënderbeu është ndër ekipet më të mira të momentit dhe na gjen në një moment jo të mirë duke pasur edhe disa mungesa.
Por duhet të sakrifikojmë dhe të bëjmë më të mirën e mundshme që të arrijmë të marrim maksimumin e pikëve brenda, në qoftë se do të themi se nga ana matematikore duhet të bëjmë mirë, të paktën ndeshjet brenda.
Të tilla kemi gjashtë, së bashku me Skënderbeun, dhe duhet të marrim maksimumin, por kampionati është shumë I vështirë dhe mesa shikoj, jo vetëm që duhet të marrim pikët brenda, por duhet që në fazën e katërt të shikojmë edhe ndeshjet jashtë që është shumë e vështirë si mision, por duhet të bëjmë çdo gjë, është e vetmja mundësi që kemi.
– Skënderbeu i fazës së dytë që fitoi thellë në Shkodër, çfarë mund të ndryshojë nga Skënderbeu i fazës së tretë që luan përsëri në “Loro Boriçi”, fundjavën e ardhshme?
– Çdo ndeshje ka specifikën e saj dhe nuk duhet të kthejmë kokën prapa për të parë atë. Edhe pse ishte një humbje e thelle unë do të vazhdoj të këmbëngulë që nuk ishte reale.
Gjithsesi, në atë moment ishte ekipi plot, dhe kësaj radhe nuk e kemi aq të plotë, por duhet të sakrifikojmë, në qoftë se sakrifikojmë dhe të japim maksimumin, pse jo të marrim një rezultat pozitiv.
– Shqetësimet në fushën stërvitore po vijojnë për trajnerët, tani edhe me kolegun Memelli…
– Janë raste të shëmtuara, unë vazhdoj të këmbëngul që të kthejmë idenë që çdo klubi duhet të kthehet në një klub profesionist në marrjen e masave dhe ta kuptojnë që stervitshmëria, trajneri, futbollistët, janë institucion, dhe po nuk patën qetësi dhe mbështetje nuk mund të ecë kjo punë kështu.
Problemi jonë është që ne jemi shtet i varfër, nuk kemi qendra stërvitore, që çdo njeri të futet brenda, të bëjë punën e tij dhe të ikë në shtëpi i qetë.
Kjo është çështje sistemi mendoj unë, por do të ndryshojë dhe presidentet të marin masat e tyre përkatëse.
– Çinari, një tjetër futbollist kuqeblu në kombëtaren e Bushit tek U-21, vlerësim ky për Vllazninë, apo jo?
– Besoj se është lajm i mirë. Ne vazhdojmë të punojmë dhe të ndihmojmë duke çuar lojtarët tek ekipet kombëtare. Edhe rasti Çinari është njëri prej tyre që duhet vlerësuar./sport-ekspres/