Ekipi i basketbollit të meshkujve të Vllaznisë ka pësuar shumë ndryshime në fazën e dytë të kampionatit. Marrja e katër basketbollistëve të huaj, e ka rritur shumë forcën e saj. Ai  i ka bërë një nisje të mirë fazës së dytë, duke e mundur thellësisht ekipi e Skënderbeut në ndeshjen e parë. Basketbollistët e trajnerit Bledar Gjeçaj janë bërë gati për të fituar edhe ndeshjen e dytë, atë që do luajnë sot ndaj ekipit të Universitetit Amerikan të Tiranës. Në fakt kjo ndeshje duhej të ishte luajtur ditën e shtunë por me kërkesë të ekipit kundërshtar, edhe Vllaznia ka rënë dakord për ta luajtur sot. Në fakt konsiderohet një ndeshje relativisht e lehtë për shkodranët. Katër sportistët e ardhur, kanë shtuar entuziasmin tek stafi drejtues, por edhe vetë këta sportistë, mendojnë se do bëjnë gjëra të mira tek Vllaznia. Këtë e thotë edhe njëri prej tyre, pikërisht blerja e fundit e ekipit shkodran, basketbollisti malazez Nikoll Gjokoviç që në një prononcim për gazetën “Shkodra Sport” do të shprehej: “Shoh që tek Vllaznia punohet shumë mirë nga ana e stafit drejtues. Unë sapo kam ardhur tek kjo skuadër dhe në fakt nuk është e panjohur për mua sepse me ekipin tim të mëparshëm kemi zhvilluar disa ndeshje miqësore kohë më parë me të. Një nga arsyet që më bindi për të ardhur në Shkodër është ajo se ekipi I Vllaznisë ka ambicje për t’u shpallur kampion këtë sezon dhe do bëjmë çmos për t’ia arritur”. I ardhur nga ekipi Llovçen i Cetinjes, sigurisht që Gjokoviç sjell përvojën e tij. Vetë ai i pyetur për të bërë një krahasim mes dy kampionateve të Malit të Zi dhe atij të Shqipërisë, ka pohuar atë që në fakt e dimë edhe për cilësinë më të lartë të fqinjëve por ka siguruar se me ardhjen e këtyre lojtarëve të huaj, edhe niveli i kampionatit shqiptar do rritet shpejt. “Natyrisht që ka diferenca sepse basketbolli në Mal të Zi është shumë I zhvilluar megjithatë edhe në Shqipëri po shoh që ka filluar të investohet për këtë sport dhe jo më kot, kemi ardhur disa sportistë nga këto vende, për të ndihmuar në rritjen e nivelit të këtij kampionati”- ka thënë Gjokoviç. Vllaznia kësisoj ka objektiva të qarta për këtë sezon për të synuar titullin kampion. Titull ky që i mungon Shkodrës prej disa sezonesh dhe me shumë mundësi do të bëhet realitet këtë vit.

Gjergj KOLA