Loja shumë e mirë e zhvilluar në takimin e fundit ndaj Tiranës, i ka bërë edhe më shumë entuziast basketbollistët e Vllaznisë të cilët mendojnë se pavarësisht problemeve që patën në fillim të sezonit, mund të luftojnë si të barabartë me të gjithë kundërshtarët. I këtij mendimi është një nga pikat më të forta të këtij ekipi, Gjon Ndoja i cili për “Shkodra Sport” do të shprehej:
“E filluam kampionatin shumë inferior në krahasim me ekipet e tjera rivale sepse të mos stërvitesh për 5 muaj, kuptohet që është një problem i madh. Edhe ekipet e tjera nuk na shikonin si pretendentë, për më tepër pas humbjes në ndeshjen e parë me Teutën në Shkodër dhe filluan të na nënvlerësojnë. Kjo na bëri mirë në fakt sepse na motivoi për të punuar edhe më fort. Fitorja me Partizanin në Tiranë na dha një arsye për të vazhduar punën dhe po ashtu edhe në takimin e fundit ndaj Tiranës treguam vlerat tona dhe nëse nuk do kishin ndikuar arbitrat, besoj se edhe këtë ndeshje do ta kishim fituar. Në këto kushte, duhet të vazhdojmë punën për të ngushtuar sa më shumë diferencën me këto ekipe. Po mendojmë për ndeshjen e rradhës me Teutën në të cilën padiskutim që do të hyjmë në fushë me objektiv vetëm fitoren. Se si do të rrjedhin ngjarjet pas janarit, këtë nuk mund ta them me siguri por e sigurtë është që Vllaznia do të jetë në mes tre ekipeve të para në këtë kampionat”
© shkodrasport.com